Sipas Kurtit, AKR doli nga LAA apetitet nga njëra anë dhe pasiviteti nga krahu tjetër Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti me anë të një postimi në Facebook ka komentuar për marrëveshjen e AKR-së dhe PAN-it.
Kurti ka thënë se pasi që AKR doli nga LAA apetitet nga njëra anë dhe pasiviteti nga krahu tjetër e humbën edhe një shans tjetër pas atij të VLAN-it.
“Koalicionet parazgjedhore të oportunizmit po shthuren. Po kthehemi te partitë, te përmasat e tyre, tek ato si masë” tha ai.
Postimi i Kurtit në Facebook:
AKR doli nga koalicioni LAA. Ky koalicion parazgjedhor edhe zyrtarisht u shpërbë dje. Apetitet nga njëra anë dhe pasiviteti nga krahu tjetër, e humbën edhe një shans shtesë pas atij të VLAN-it. Kot je pasiv që të mos bësh gabime, sepse pasiviteti është gabimi më i madh.
Mirëpo, dje u shpërbë edhe koalicioni tjetër PAN. Marrëveshjen me kryetarin e AKR-së nuk e bëri kryetari i PAN, por të tre kryetarët e tre partive të PAN-it (prej 12 sosh gjithsej) që kanë deputetë në legjislaturën e gjashtë.
Koalicionet parazgjedhore të oportunizmit po shthuren. Po kthehemi te partitë, te përmasat e tyre, tek ato si masë.
Pas marrëveshjes së mbrëmshme, konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i qeverisë së re është lënë në dorë të Vuçiqit. Shteti nuk është karrikë.
Shteti ka karrika. Por, ka edhe karrika pa shtet, karrika në kurriz të shtetit. Pushteti i varur nga Serbia, e var pavarësinë e shtetit. 26 vjet më vonë, 22 tetori i vitit 2017 po bëhet referendum i ri.