Myslimanët në mbarë botën kanë nisur kremtimin e Kurban Bajramit, i njohur ndryshe si “festa e flijimit”, njëra prej datave më të shënuara të kalendarit të tyre fetar.

Sipas traditës islame, ai nderon gadishmërinë e Ibrahimit për të sakrifikuar të birin si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, që më pas ndërhyn dhe e shpëton duke i treguar të atit se gjesti i tij është pranuar.

Në Kabul, besimtarët u mblodhën në një treg kafshësh për të kremtuar festën e madhe.

Në Libinë e trazuar, kremtimet e kësaj dite e kanë lënë për pak në harresë kaosin që mbizotëron në vend.

Lutjet e besimtarëve myslimanë në Egjipt e Jordani ishin për paqe dhe stabilitet ekonomik. Shpresa e një jete më të mirë shoqëron në këtë ditë sidomos egjiptianët e përballur prej 10 muajsh me vështirësi të mëdha ekonomike pas masave të ashpra antikrizë të ndërmarra nga qeveria.
Trenat e mbuluar nga njerëzit ne Dakha janë tabloja e qartë e kaosit të lëvizjes që sjell kjo festë në Bangladesh, ku qindra mijëra vetë largohen nga kryeqyteti drejt zonave të tyre të lindjes, për ta festuar Kurban Bajramin pranë familjeve të tyre.

Në Jeruzalem, Bregun Perëndimor e Gaza, myslimanët kanë vërshuar në kremtime, duke e nisur ditën fillimisht me lutje si ato që u mbajtën në xhaminë Al-Aksa.

Presidenti sirian Bashar al-Asad zgjodhi ta nisë ditën me lutje në qytetin e Kara-s, shumë pranë enklavës së çliruar të hënën prej militantëve të Shtetit Islamik.

Në Pakistan, mjaft familje mund të mos e blejnë dot këtë vit një dhi për flijim, sepse çmimi i tyre ka mbërritur në shuma marramendëse për ta. Një tendencë e çuditshme ka zënë vend kohët e fundit në Arabinë Saudite: njerëzit, në vend që t’i therin kafshët, i vrasin me rrymë elektrike e kjo është bërë shkak për probleme që nisin nga ndërprerjet e energjisë deri tek rrezikimi i jetëve, ndaj autoritetet kanë lëshuar paralajmërime me veprime ligjore kundër shkelësve.

Mëngjesin e sotëm, mijëra myslimanë janë mbledhur për të festuar në xhaminë Lakemba të Sidneit, në Australi.

Kryeministri kanadez publikoi një mesazh-video, ku i përcillte urimet e tij në këtë ditë të shënuar myslimanëve në mbarë botën, e veçanërisht atyre që jetojnë në Kanada./tch/