Në Medresenë Isa Beu, paralelja e shtrirë në Tetovë për femra, tashmë ka filluar viti shkollor. Sikurse viteve të kaluara, edhe këtë vit është vërejtur interesim i semimaturantëve për t’u regjistruar në këtë shkollë të mesme, shkruan gazeta KOHA. Beqir Memeti, koordinator i paraleleve për Tetovë thotë se janë regjistruar 40 nxënëse në vit të parë dhe presin regjistrimin edhe të 7 nxënësve të tjera. “Edhe këtë vit kemi një numër të madh të kandidatëve që kanë aplikuar për vitin e parë. Nga 47 kandidatë, 40 janë pranuar, por shpresojmë që edhe ata katër nxënëse të pranohen, sepse kemi bërë një kërkesë deri te Rijaseti i BFI-së, që edhe këta 7 nxënëse të ulen në bankat e Medresesë në Tetovë dhe shpresojmë që të miratohet. Kuptohet se çdo vit shkon duke u rritur kërkesa. Edhe këtë vit kemi numër të konsiderueshëm të kërkesave”, thotë për KOHA, Memeti.

Më tej, ai nënvizon se e veçanta për këtë vit është fakti i rritjes së numrit të kërkesave për transfere nga shkollat tjera të mesme në Medrese.“Një gjë shumë e veçantë është se kemi këtë vit shumë kërkesa për transfere nga shkollat tjera në medresenë në Tetovë. Hapësirat që i kemi këtu nuk janë të mjaftueshme që të pranojmë një numër më të madh të nxënësve, por shpresoj se viteve të ardhshme do të na lejohet hapja e paraleleve tjera, nëse rregullojmë hapësira të reja, atëherë të gjitha kërkesat e nxënësve që janë për Tetovë të arrijmë ta plotësojmë edhe këtë dëshirë”, deklaroi koordinatori Memeti. Megjithatë, edhe përkundër shumë insistimeve që kjo Medrese të akreditohet si shkollë e mesme në kuadër të shtetit, e njëjta ende është në kuadër të BFI-së dhe pas përfundimit të shkollimit, nxënësit e kanë të vështirë të pranohen në të gjitha universitet, ndërsa më të sigurt e kanë pranimin vetëm në Fakultetin teologjik. Por, viteve të fundit nxënësit janë pranuar edhe në universitetet tjera falë vullnetit të drejtuesve të këtyre universiteteve, posaçërisht në Tetovë, thekson më tej Memeti.

“Shpresat janë të mëdha që do të kemi një përgjigje shumë shpejt në këtë drejtim, por edhe në të kaluarën nxënësit nuk kanë ngelur rrugëve, pa vazhduar studimet në universitetet në vend, por ajo ka qenë vetëm një intervenim nga ana e BFI-së deri tek universitetet, sidomos në Universitetin e Tetovës, ku të gjithë nxënësit që kanë konkurruar janë pranuar. Ne jemi dëshmitarë se nxënësit tanë kanë përfunduar me sukses studimet dhe tashmë janë profesor dhe asistentë dhe jemi krenar për këtë”, nënvizon ai. Përndryshe në çdo fillimvit shkollor në Shkollën e mesme “Medreseja Isa Beu”, paralelja e shtrirë në Tetovë për femra pranohen nga dy paralele, ndërsa drejtuesit shpresojnë se në të ardhmen do të ketë edhe më shumë hapësira për të pranuar numër të madh të nxënësve.