Kombëtarja shqiptare nuk do të kënaqet me minimumin në ndeshjen e sotme ndaj Maqedonisë. Trajneri Panuçi tregoi sesi do të luhet përballja e Botërorit në Strumicë
Më në fund, stërvitja në këtë stadium të veçantë.

Kombëtarja shqiptare, pas dy udhëtimeve radhazi drejt Shkupit e Strumicës, bëri përshtatjen me fushën e impiantit ku do të luhet ndeshja me Maqedoninë.
Po ashtu, kreu edhe përgatitjet e fundit përpara përballjes së sotme, të orës 20:45, në kuadër të eleminatoreve të Botërorit.
Trajneri Kristian Panuçi, në duelin e dytë në detyrë, e ka të qartë sesi duhet të luhet.
“Ne jemi këtu për ta fituar ndeshjen. Pastaj, do të shohim atë që do të na japë fati. Është, gjithsesi, e sigurt se nuk firmosim për një barazim, do të luajmë me guxim. Kjo, pavarësisht respektit të madh ndaj Maqedonisë që është një skuadër shumë e mirë, por duke qenë të ndërgjegjshëm për cilësitë tona. Përsa I përket stadiumit, vërtet është I vogël, por fusha është e mirë. Nga stadiumet e vegjël gjithnjë mund të krijohen rreziqe, por ne duhet të shohim vetëm të luajmë ndeshjen”.
Panuçi u pyet edhe për formacionin me të cilin mund të luajë sonte.
“Sadiku është në dispozicion, të gjithë lojtarët janë në dispozicion, ndërsa për lojtarët që do të zbresin në fushë do ta merrni vesh përpara ndeshjes. Skuadra do të shlodhet nga udhëtimi, por edhe Maqedonia luajti në Izrael, pra jemi në kushte të barabarta. Jam I bindur se lojtarët do të jenë siç duhet kur të fillojë ndeshja, sepse janë mësuar për të luajtur në ndeshje kaq pranë njëra-tjetrës”.
Kapiteni Ansi Agolli nuk dëshiron shpërqëndrim përpara ndeshjes.
Veterani iu përgjigj edhe pyetjes për mënyrën e festimit pas golit dhe mosdaljen për mediat pas Lihtenshtajnit.