Një dezertore nga Koreja e Veriut ka treguar se si ka parë 11 muzikantë të hidhen në erë me kundër-ajror. Ajo tha për Mirror se shoqet e saj të klasës u bënë skllave seksi të Kim Jong-un.

Hee Yeon-lim, 26 vjeç, e diplomuar në kryeqytetin e vendit komunist, rrezikon jetën për këto deklarata.

Por ajo tha se është e vendosur për të thënë të vërtetën. Ajo pretendon se diktatori e detyron elitën e Phenianit që të shohin ekzekutimet e tmerrshme dhe më pas shijojnë dreka të shtrenjta mbi 1 mijë dollarë. Yeon-lim është vajza e një koloneli të ushtrisë. Ajo u arratis drejt Koresë së Jugut në vitin 2015, së bashku me mamanë dhe vëllanë. Sipas saj, ajo ka qenë një nga 10 mijë personat që ka parë ekzekutimin e 11 muzikantëve, të cilët ishin dënuar sepse kishin bërë një film pornografik.

“Muzikantët i sollën të lidhur, me kapuç në kokë dhe gojën e mbyllur që të mos nxirrnin zë. Ajo që pashë më ka turbulluar në stomak. I lidhën në fund të kundër-ajrorëve.

Ishin rreth 10 mijë persona që po shihnin atë ditë dhe unë isha jo shumë larg. Kur qëlloi kundër-ajrori, zhurma ishte shurdhuese. Trupat fluturonin tutje të ndarë në copëza, plotësisht të shkatërruar”. Lim tha se vajzat më të bukura të klasës përzgjidhen për të punuar për Kim Jong-un.

Ato mësohen të bëjnë masazhe dhe të kthehen në skllave seksi. Sipas saj, diktatori shpesh fshihet në gropa të nëndheshme, ku ka bunkerë luksozë. Atje i shërbejnë ushqimin më të mirë, përfshi këtu haviar. Ai fshihet shpesh nga frika.