Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) e përshëndeti vendimin e Qeverisë për sigurimin e qasjes pa pagesë të gazetarëve deri te dokumentet nga Regjistri Qendror dhe Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive.

“Besojmë se qasja pa pagesë të gazetarëve deri te dokumentet me rëndësi në vend do ta lehtësojë qasjen e gazetarëve hulumtues deri te informacionet me interes për opinionin, ndërsa me këtë do të përmirësohet edhe informimi i qytetarëve”, thuhet në kumtesën e SHGM-së.

Nga SHGM konsiderojnë se ky vendim do ta rrisë transparencën, llogaridhënien dhe përgjegjësinë e bartësve të funksioneve publike, ndërsa njëherit do të ndikojë edhe në uljen e korrupsionit dhe të formave të ndryshme të keqpërdorimit të pushtetit.

“Vazhdimisht kemi insistuar që gazetarëve t’u mundësohet qasje e lirë deri te informacionet me karakter publik me qëllim që të nxitet zhvillimi i gazetarisë hulumtuese e cila gjendet në margjinat e hapësirës mediatike”, thotë në kumtesë kryetari i SHGM Naser Selmani.

SHGM edhe në të ardhmen do ta mbështesë çdo masë të Qeverisë e cila shkon në kontribut të sigurimit të ambientit më të volitshëm për punën e gazetarëve.