Deputeti i LSI në Qarkun e Vlorës, Shezai Rrokaj, shprehet se ambasadori Donald Lu konfirmoi sot kauzën e LSI se tekstet shkollore në arsimin parauniversitar duhet të jenë falas.

Rrokaj thekson se qeveria është në kushtet e cenimit të ligjit të arsimit parauniversitar, i cili në nenin 5, pika 2, sanksionon se “Arsimi i detyrueshëm dhe ai i mesëm e i lartë janë falas”.

Sipas tij, shteti është i detyruar ta japë falas arsimimin nisur nga e drejta publike e edukimit të shoqërisë, duke shtuar se qeveria jonë e ka konceptuar këtë si detyrim për “të varfrit”.

Postimi i plotë i Rrokajt:
Mesazhi i Donald Lu-së për arsimin falas konfirmon kauzën e LSI-së se tekstet shkollore ne arsimin parauniversitar duhet të jenë falas. Qeveria është në kushtet e cënimit tē ligjit tē arsimit parauniversitar, i cili në nenin 5, pika 2 sanksion se ‘Arsimi i detyrueshëm dhe ai i mesëm e i lartë janë falas. Nga verifikimi zyrtar nëpërmjet kërkimit parlamentar rezulton se vende si: Franca, Gjermania, Italia, Greqia …, por edhe vendet si: Rumania, Serbia, Kroacia, Maqedonia e Kosova i kanë tekstet shkollore falas. Qeveria jonë trajton me tekste falas vetëm disa kategori vulnerabël, gjithsej 16, me një buxhet rreth 300 mijë lekē. Lidhur me sa paraqita më lart, dalin disa çështje me rëndësi për konceptin e Qeverisë për edukimin:

Së pari, Qeveria shkel ligjin e parlamentit shqiptar. Arsim i detyrueshëm nuk do të thotë vetëm se individët e kësaj moshe duhet të ndjekin vitet e edukimit të përcaktuara në ligj por, në radhë të parë, se shteti detyrohet ta japë falas arsimimin nisur nga e drejta publike e edukimit të shoqërisë. Qeveria jonë këtë koncept e ka kuptuar si detyrim për ‘të varfërit’. Në fakt koncepti ‘Arsim i detyruar’ nuk ka lidhje me politikat e qeverisë ndaj shtresave në nevojë, por me vlerësimin dhe detyrimin e shtetit për edukimin shoqëror publik të individëve. Së dyti, dikur ne mbaheshim si i vetmi vend që dallonte për konseguencën ndaj idealeve absurde, por edhe sot përsëri ndryshe nga të tjerët: vendi model për mungesën e vëmendjes ndaj arsimit.

Së treti, a e dini se sa kushton afërsisht gjithë kjo histori, pra që shteti të marrë përsipër tekstet: jo më shumë sesa 6-7 milionë euro. Shikoni ku katandiset shteti, ku lëvizin në xhepa miliona para droge, koncesionesh e tenderash fasadash apo makina luksoze e dieta udhëtimesh, siç shprehet ambasadori Lu.

Fytyra e një shteti duket te rëndësia që merr arsimimi. Shqipëria është vendi i fundit në Evropë për buxhetin e arsimit, i cili është fiksuar rreth 3% e PBB-së. Kjo çështje, si dhe mjaft të tjera do të jenë kali i betejës së LSI-së gjatë amendimit të këtij ligji. Nëse Qeveria hesht për kauza qytetare, atëherë qytetarët do të marrin vetë në dorë vendosjen e demokracisë.