Çashka, Gazi Baba dhe së fundmi edhe Manastiri, po tërheqin vëmendjen e opinionit shqiptar në Maqedoni. Në vigjilje të zgjedhjeve lokale të 15 tetorit, po ndodh një dukuri që shqiptarët e presin çdo here nga faktori politik shqiptar, dukuria e unifikimit dhe mbrojtjes së votës shqiptare, njofton Flaka.
Fillimisht, në Gazi Babë, BDI, Lëvizja Besa dhe Aleanca për shqiptarët njoftuan se do të garojnë me listë të përbashkët të këshilltarëve që mos shpërndahet vota shqiptare, që janë pakicë në këtë komunë.
Kësaj fryme iu bashkuan edhe shqiptarët e Çashkës. Në këtë komunë rurale ku popullsia shqiptare është mbi 37 për qind, kanë arritur unitet tre partitë Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja BESA dhe PDSH për të dalë në zgjedhje bashkërisht.
Trendi vazhdoi edhe në Manastir.
Përfaqësuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim, Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët pasi u bashkuan në komunën e Gazi Babës, ata vendosën të garojnë bashkë me një listë të përbashkët për Këshillin Komunal të Manastirit.
Duke u nisur nga kjo frymë e re dhe pozitive, fjala i mbetet faktorit politik shqiptar edhe në Komunën e Kërçovës dhe Strugës, ku mandati i kryetarit shqiptar vazhdon të lëkundet edhe në këto zgjedhje. Në Strugë nuk po vërehet një tendencë e tillë, kur dihet që partitë politike shqiptare kanë zyrtarizuar kandidaturat tashmë. Në Kërçovë, fjalën e fundit duhet ta thonë nga Lëvizja Besa, PDSH dhe RDK. BDI propozoi Fatmir Deharin kurse ASH u prononcuar se do ta përkrah.