Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley, ka kërkuar që forcat e sigurisë së Mianmarit të distancohen nga sulmet ndaj civilëve të pafajshëm dhe punonjësve humanitarë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim Haley ka theksur se janë duke ndjekur nga afër ngjarjet e dhunshme që nisën më 25 gusht në rajonin Arakan (Rakhine) të Mianmarit dhe se këtë çështje e kanë diskutuar edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB).

Pasi ka vënë në dukje se operacionet e ushtrisë së Mianmarit kanë rritur tensionet pasi milicët e Ushtrisë Çlirimtare të Arakan Rohingya (ARSA) sulmuan forcat e sigurisë së Mianmarit, Haley ka theksuar se si pasojë e kësaj ka informacione se kanë humbur jetën civilët, janë djegur fshatra dhe mijëra të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.

Ndër të tjera duke vënë theksin se dënojnë sulmin e kryer kundrejt forcave të sigurisë Haley ka thënë: “Bashkë me këtë forcat e sigurisë së Mianmarit që ndërmarrin operacionet kanë përgjegjësinë që të jenë në përputhje me ligjin ndërkombëtar njerëzor dhe të distancohen nga sulmet ndaj civilëve të pafajshëm dhe punonjësve humanitarë. Autoritetet duhet të sigurojnë mbërritjen e ndihmave për personat në nevojë. Të gjithë anëtarëve të KS-OKB-së i bëjmë thirrje që të ofrojnë mbështetje që qeveria e Mianmarit të mbrojë të drejtat dhe dinjitetin e të gjithë komuniteteve në Arakan”.

Më tej Haley ka shtuar se janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje që qeveria e Mianmarit të vendosë në zbatueshmëri sa më parë rekomandimet në raportin e përgatitur nga Komisioni i ish Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan për rajonin Arakan.