Qeveria e cila drejtohet nga Ramush Haradinaj synon të sigurojë votat e nevojshme për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.

Nga ana tjetër, është Lista Serbe ajo e cila ka ngjallur kundërshtime të shumta rreth krijimit të ushtrisë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi thotë se kryeministri Ramush Haradinaj duhet të ketë qëndrime të njëjta rreth formimit të ushtrisë, si në kohën kur ka qenë në opozitë.

Haradinaj, sipas tij, nuk duhet ta bëjë atë që kanë bërë Hashim Thaçi e Isa Mustafa.
“Ramushi duhet vetëm t’i kujtojë qëndrimet që i ka pasur për aq sa ka qenë në opozitë. Normalisht se nuk duhet të bëjë ashtu siç kanë bërë Thaçi e Mustafa”, ka thënë Selimi në një bisedë për Indeksonline.

Selimi thotë se Haradinaj duhet ta ketë parasysh se me Listën Serbe në qeveri, shanset për FAK nuk ekzistojnë.

“Një gjë duhet ta dijë se me Listën Serbe në qeveri nuk ka shanse për FAK. Lista Serbe e ka ushtrinë e vet në Serbi, dhe nuk kontribuon në mbrojtjen e Kosovës nga Serbia”, ka theksuar ai.

Vlen të kujtojmë se Haradinaj gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve nacionale të 11 qershorit, kishte thënë se çështja e formimit të ushtrisë është një ndër prioritetet e tij, ndërkohë që ende nuk është precizuar ndonjë kohë se kur mund të nis procesi i transformimit.