Së shpejti 53 mijë maqedonas do të pajisen me pasaportë bullgare sipas zëvendëskryeministrit bullgar Valeri Simeonov. Këto deklarime ai i ka bërë në një tryezë të rrumbullakët me temë “Politika demografike dhe mobiliteti i punës”.

“Ne kemi 53,000 kërkesa të paraqitura me dokumente relevante të bashkangjitura nga shtetasit e Maqedonisë të cilët nuk mund të bëhen shtetas bullgarë për shkak të disa mangësive në legjislacion”, ka deklaruar Simeonov njofton Sakte.

Qëllimi i qeverisë së Bullgarisë, sipas Siemonov, është që të përshpejtohet procedura e pajisjes së maqedonasve me shtetësi bullgare dhe se është në shqyrtim përshpejtimi i procedurave nga 2 – 3 vjet sa ishte më parë, në 6 muaj.

“Synojmë ta shkurtojmë periudhën për marrjen e shtetësisë bullgare, kur të gjitha dokumentet janë të sakta, mund ta zvogëlojmë atë deri në gjashtë muaj. Pjesa tjetër e kohës do të jetë që nënkryetari të nënshkruajë dekretin mbi aplikantin për shtetësi,” tha Simeonov.