Rufki Suma i cili ka disa herë radhazi që fiton komunën e Hanit të Elezit si kandidat i pavarur, thotë se ai po punon ‘qetë për ta fituar sërish këtë komunë’.

Lidhur me deklaratën e kryetarit të PDK’së Kadri Veseli se kjo parti do ta fitojë edhe Hanin e Elezit, Suma i ka thënë Periskopit se nuk dëshiron të merret me deklarata të tilla, por ka thënë se Hanin e Elezit e fiton partia të cilën ia besojnë votën qytetarët.

“Të them të drejtën, nuk e kam ndërmend të merrem me askënd, e madje aspak me Kadri Veselin. Unë jam duke punuar qetë për fushatën dhe përmbushjen e premtimeve të mia për qytetarët e Hanit të Elezit. Janë qytetarët ata të cilët vendosin se kush do ta fitojë një komunë’, ka thënë Suma shkurt për Periskopin.

Ndryshe, kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, në hapje të fushatës së kësaj partie në Prishtinë, ka thënë se partia e tij do të fitojë shumicën absolute të komunave, madje ‘edhe Hanin e Elezit’./Periskopi/