Nga Arian Galdini
Nuk ka zgjedhje…Sapo janë kryer. Njëri Skënderbe ka fituar dhe nuk mbulohet dot më as me tepsi e as me ‘led’.
Ky Skënderbeu që fitoi si Timonier i Madh, nuk ka kalë e kësisoj nuk ka as frerë. Nën lumturinë e fitores dhe me llogarinë e turizmit kryeministror për 4 vitet e ardhshme, Skënderbeu ynë fitues, vendosi ta shpallë vitin 2018 si vitin e Skënderbeut që ka vdekur në 17 janarin e 1468.
Skënderbeu i vdekur, nuk ka as parti, as ojf, as gazetë apo TV që të punojnë për të. Ai as konkuron për zgjedhje, as edhe si kandidat i pavarur. Nuk paraqet asnjë rrezikshmëri.
Por është i vdekuri i përsosur, sepse është hero. Heronjtë janë të përsosur gjithmonë vetëm kur janë të vdekur. Po qenë të gjallë heronjtë janë padyshim Armiq, madje Armiq nga ata të urryeshmit, të papërtypshmit fare.
Si të vdekur, heronjtë janë mrekullia vetë. Sepse si të vdekur, janë heronj që mund të të shërbejnë gjithësesi, në çdo rast.
Si të vdekur, ti heronjtë mund ti shpallësh armiq dhe duke qenë se ata nuk ka kush ti mbrojë, mund ti emërosh ti edhe sharësit edhe mbrojtësit e heroit, e kësisoj të përfitosh nga të dyja palët.
Ja psh, prej ditës së Kurban Bajramit e deri sot, është ndezur një debat, rreth Skënderbeut dhe mbulimit të tij.
Heroi i vdekur nuk ka bërë ankesë. Nuk ka bërë as status në facebook, e as ka porositur analistët që e ç’të shkruajnë. Madje Skënderbeu i vdekur, as i ka parë fare as mbulojën me led e as portalet dhe ndërkalljet tona në facebook.
I vetmi Skënderbe që ka ushtri fotografësh, kontroll mbi portale a kazanë mediatikë, analistë të mirëpaguar, e militantë të zellshëm që me porosi a ndjeshmëri partie, kapin ritmin e debatit të rradhës në media e facebook, sipas planit e dëshirës së udhëheqjes, është Skënderbeu ynë fitues i zgjedhjeve të 25 qershorit 2017.
Skënderbeu i vdekur është me Zotin prej 550 vitesh tashmë.
Skënderbeu i vdekur nuk ka as twitter.
Kam përshtypjen, se në të njëjtën pozitë është edhe vetë Krijuesi ynë i gjithëpushtetshëm dhe i madhërishëm.
Zoti ynë atje lart në qiell, nuk pi kafe as u dërgon sms apo whatsapp analistëve që të ndezin debatin e ditës duke bërë shërbesën e rradhës për pagesën e majme.
Zoti nuk paguan rroga. Zoti nuk fyhet e as lëndohet prej nesh, sepse Ai është vetë Krijuesi ynë. Ai mund të na fshijë nga faqja e dheut me një lëvizje të gishtit. Ai vetëm na vë në sprovë, për të na dhënë në fund Gjykimin Final kur të shkojmë para Tij.
Kësisoj si mbrojtësit e besimit ne Zot, si sharësit e Skënderbeut, si mbrojtësit e Skënderbeut ashtu edhe sharësit e besimit në Zot, nuk po i bëjnë këto shërbesa as për Zotin në qiell, e as për Skënderbeun e vdekur.
Dikush tjetër po bën llogaritë dhe ekonominë e përfitimit nga këto shërbesa të porositura e të nxitura.
Me shumë gjasa, i vetmi Zot e Skënderbe mes nesh që nuk është në qiell, por në Kryeministri, është Skënderbeu ynë fitues i zgjedhjeve të 25 qershorit.
Ai do ta ketë mirë edhe me Merkelin edhe me Erdoganin, edhe me Vatikanin edhe me Ankaranë, edhe me muslimanët edhe me katolikët e ortodoksët, edhe me Vuçiçin edhe me Albinin, edhe me Serbinë edhe me Ramushin.
E ku ka më bukur sesa të përdorësh Heroin e vdekur, që në fakt është Kryeheroi i Kombit, për të përfituar nga të gjithë, sepse të gjitha pro-të dhe kundra-t i porosit, paguan dhe administron ti.
Andaj, ftesa ime për të gjithë ndërdebatuesit e paporositur dhe të papaguar, por që janë përfshirë në këtë debat me dlirësi dhe ndershmëri, është që të ruajnë qetësinë.
Çfarë e nis Muç Nano dhe i mban iso ndonje Imam me emrin Armand, të jeni të sigurtë se e kontrollon vetëm një Komandant…
Lërini analistët dhe militantët e paguar dhe porositur që të bëjnë shërbesën e tyre për Komandantin Legjendarvme twitter.
Sepse këta edhe kur shkruajnë pro a kundër Skënderbeut, edhe kur shkruajnë pro a kundër besimtarëve në Zot, në fakt nënkuptojnë veç një frazë.
Ata të gjithë thonë njëzëri: Rroftë Skënderbeu ynë Kryeministër.