Siria ka deklaruar mëngjesin e sotëm se aeroplanët izraelitë kanë sulmuar një bazë ushtarake në perëndim të vendit, mes raportimeve se është gjithashtu goditur një fabrikë armësh kimike.

Ushtria tha në një deklaratë se raketat e nisura nga hapësira ajrore e Libanit goditën  një bazë ushtarake pranë Masyaf, duke vrarë dy ushtarë.

Raportet e pakonfirmuara të mediave arabe thanë se një fabrikë për prodhimin e armëve kimike u godit gjithashtu gjatë sulmit ajror.

Izraeli, i cili ka kryer edhe më parë sulme klandestine në zonat ushtarake siriane, nuk ka komentuar ende mbi akuzat.

Incidenti vjen një ditë pasi hetuesit e OKB-së thanë se kishin arritur në përfundimin se pas një sulmit vdekjeprurës me armë kimike në një qytet të mbajtur me rebelët, fshihej qeveria siriane.

Të paktën 83 persona humbën jetën në sulmin tragjik të prillit, por Damasku ka mohuar gjithmonë përdorimin e armëve kimike.

Raportet perëndimore të inteligjencës thonë se Siria po vazhdon të prodhojë armë kimike, duke shkelur një marrëveshje të vitit 2013 për eliminimin e tyre.

Nga ana tjetër, edhe Izraeli ka kryer vazhdimisht sulme ajrore mbi territoret e Sirisë gjatë viteve të fundit./SYRI.net/