Të fitojë edhe një herë tjetër trofeun e Champions League dhe të mbyllë karrierën me Bayern Munih. Janë këto dy ëndrrat e Franck Ribery përpara se të varë këpucët në gozhdë. Në moshën 34-vjeçare francezi është ende një futbollist shumë i rëndësishëm për kampionët e Gjermanisë me trajnerin Carlo Ancelotti që beson shumë te aftësitë e ish lojtarit të Marseilles. Sezonin e kaluar pavarsisht disa dëmtimeve, Ribery zhvilloi në total 32 ndeshje me Bayernin në të gjithë kompeticionet duke realizuar dhe 5 gola. 34 vitet mbi supe peshojnë por mosha nuk është aspak problem për francezin i cili dëshiron të japë ende kontributin e tij tek skuadra bavereze.

“Unë gjithmonë dua të luaj, jam shumë i uritur dhe gjithmonë dua të fitoj. Por në moshën që jam është normale që të kem nevojë për pushim prandaj trajneri më ka zëvendësuar në 3 nga takimet e para.  Nëse Ancelotti mendon se jam ende i rëndësishëm për skuadrën unë do të jap më mirën time për tia shpërblyer besimin. Ai është një trajner i madh dhe ne të dy kemi marrëdhënie të shkëlqyera.  Cilat janë dëshirat e mia përpara se ti jap fund karrierës? Dua të fitoj sërish Championsin me Bayernin, kjo është ëndrra ime. Ideja se mund tia arrij qëllimit më motivon më tepër”.

Franck Ribery është në skandencë kontrate me Bayernin por francezi nuk e përjashton mundësinë për të rinovuar me kampionët e Gjermanisë.

“Nuk kam folur ende me drejtuesit për rinovimin. Ka akoma kohë. Do të dëshiroja ta mbyllja karrierën time me Bayernin por nuk jam unë i vetmi ai që vendos. Do të jetë klubi që do të thotë fjalën e fundit”.