Sezoni i parë i Manchester United nën drejtimin e Jose Mourinhos u mbyll me një nivel rekord të ardhurash financiare.

Në fakt, bilanci i “djajve të kuq” flet për rreth 660 milionë euro të arkëtuara, që do të thotë 12.8% më shumë në krahasim me sezonin 2015-2016.

Duke bërë diferencën mes të ardhurave dhe shpenzimeve, Manchester United rezulton me rezultat pozitiv prej 91.5 milionë eurosh.

Analiza më e zgjeruar e bilancit financiar të Manchester United flet për një rritje të ardhurash tregtare prej 2.7%, të ardhurat nga sponsorizimi u rritën me 1.4%, ndërsa ato nga promovimi i markës u rritën me 6.9%.

Por arkëtimet më të mëdha, Manchester United i siguroi nga të drejtat televizive, e sidomos nga kontratat e reja të nënshkruara me “Sky” për ndeshjet e Premier League dhe Europa League.

Në total, “djajtë e kuq” mundën të sigurojnë 220 milionë euro nga të drejtat televizive, 38.2% më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, në bilancin e Manchester United ka edhe një rritje të kostove, në 579 milionë euro.