Imponimi i temës së pranimit të emigrantëve në fokusin e vëmendjes politike është narrativ i rrezikshëm i VMRO-DPMNE-së i cili mund t’i godasë në kokën e tyre. Kështu komunikologu dhe analisti Petar Arsovski e vlerëson diskursin politik aktual të opozitës, që sipas tij, është praktikë e kësaj partie tanimë një kohë më të gjatë. Ai thotë se kjo ka ndodhë edhe më herët gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me platformën e Tiranës, ndërsa në këto zgjedhje si temë synojnë të jenë emigrantët, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që më pas edhe ligji për përdorimin e gjuhëve.

Ata në këtë mënyrë duan opinionin ta bëjnë të debatojë për tema në të cilat ndjehen të fuqishëm. Kjo është rrezik, sepse ata rrezikojnë të humbin një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare dhe partnerë të mundshëm shqiptarë që mund të jenë të domosdoshëm për formimin e ndonjë qeverie të re. Ndikimi i referendumit në këtë temë është i vogël në zgjedhjet lokale. Synimi i tyre është që referendumin ta bëjnë bashkë me zgjedhjet lokale dhe të nxitet dalja në referendum se përndryshe do ishte i pasuksesshëm për shkak jehonës së vogël nëse ai nuk organizohet me zgjedhjet lokale- tha Petar Arsovski, komunikolog.

Nga VMRO-DPMNE mohojnë të kenë çfarëdo lidhje me prononcimin e qytetarëve rreth kësaj çështje pikërisht në ditën e zgjedhjeve.

Ato janë nxitur nga qytetarë të atyre qyteteve që kanë dro për jetën e tyre në ato komuna dhe janë të brengosur kush do vendoset të banojë në komunat dhe në fqinjësinë e tyre. Nëse do të vendosen njerëz nga bota e tretë dhe nëse ato njerëz do të ndikojnë në jetën ekonomike në qytetin apo lagjen e tyre apo përparësi do të kenë ata si qytetarë të Maqedonisë- tha Nikolla Srbov, anëtarë i KE të VMRO-DPMNE.

Nga LSDM-ja si parti por edhe si pushtet shumë herë deri tani kanë dalë me qëndrim se nuk do të ketë pranim të emigrantëve në Maqedoni dhe ky paraqet problem joreal. Por, nga kjo parti nuk arritëm të marrim përgjigje si do ia dalin me debatin e imponuar në opinion dhe nëse referendumi nëpër qytete mund të ndikojë në rezultatin dhe epilogun e votimit./alsat-m