Fjalimi i presidentit amerikan, Donald Tramp para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara shkaktoi reagime dhe mospajtime tek bashkësia ndërkombëtare.

Reagimet para së gjithash, janë për kanosjen e tij se Koreja e Veriut do të “shkatërrohet tërësisht” nëse e rrezikon SHBA-në, ndërsa marrëveshjen bërthamore e quajti “të turpshme” dhe porositi se liderët botërorë nuk mund ta respektojnë dokumentin, nëse ai mundëson vazhdimin e programit bërthamor iranian.

Marrëveshja midis Iranit dhe pesë anëtareve të përhershme të Këshillit të Sigurimit të KB-së plus Gjermania, e nënshkruar në Vjenë në vitin 2015, përbëhet prej kufizimit të programit bërthamor të Teheranit në këmbim të pezullimit të sanksioneve ekonomike kundër Iranit.

Pas fjalimit të djeshëm, Tramp sot kumtoi se “ka sjellë vendim” lidhur me Marrëveshjen për programin bërthamor iranian.

“Solla vendim”, u përgjigj shkurtimisht Tramp në pyetjen e gazetarëve lidhur me qëndrimin e SHBA-së ndaj marrëveshjes bërthamore iraniane.

Përfaqësuesja e përhershme e SHBA-së në KB, Niki Hejli sot deklaroi se Tramp në fjalimin e djeshëm ka porositur se nuk është i kënaqur nga marrëveshja bërthamore me Iranin, por jo edhe se Uashingtoni do të tërhiqet prej tij.

“Ky nuk është sinjal se presidenti planifikon tërheqje nga marrëveshja. Ky është vetëm sinjal i qartë se ai nuk është i kënaqur prej saj”, theksoi Hejli.

Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, vendi i së cilit është një prej nënshkrueseve të Marrëveshjes, theksoi se Moska nuk pajtohet me qëllimin e Trampit.

“Kjo është mjaft brengosëse. Do ta mbrojmë këtë dokument, këtë konsensus, i cili ishte lehtësim për gjithë bashkësinë ndërkombëtare dhe në mënyrë të vërtetë e përforcoi edhe sigurinë rajonale edhe atë ndërkombëtare”, theksoi Lavrov.

Edhe Berlini zyrtar reagoi ndaj qëndrimeve të Trampit për marrëveshjen për programin bërthamor, duke potencuar se nuk dëshiron rishqyrtim të së njëjtës.

“Marrëveshja për programin bërthamor të Iranit duhet të respektohet e jo të vihet nën pikëpyetje realizimi i saj”, theksoi zëvendësi i zëdhënësit të Qeverisë gjermane, Georg Shtrajter.

Në ndërkohë, presidenti francez, Emanuel Makron kërkoi zgjerim të marrëveshjes bërthamore me Iranin gjegjësisht përfshirjen e masave për kufizimin e zhvillimit të raketave balistike dhe vazhdimin e kontrollit në procesin për pasurimin e uraniumit.

Presidenti i Iranit, Hasan Rohani paralajmëroi se SHBA-ja “do ta shkatërrojë kredibilitetin e saj” si partner për negociata nëse tërhiqet nga marrëveshja multinacionale për programin bërthamor iranian.