Akademia e Forcave Ajrore e Shteteve të Bashkuara, ku stërviten rekrutët që më vonë bëhen pilotë të aviacionit amerikan, ka zhvilluar një mbledhje nën drejtimin e gjeneralit Jay Silveria.

Ushtaraku i lartë ka mbledhur të gjithë studentët në një sallë të madhe për të dënuar disa shkrime raciste të shfaqura në tablea ndaj 5 studentëve afro-amerikanë.

“Nëse nuk jeni në gjendje të respektoni një person nga një etni tjetër, ose një ngjyrë tjetër të lëkurës, atëherë duhet të ikni që këtej”, ka deklaruar Silveria në pjesën kulmore të fjalimit të tij.

Ka qenë vetë Akademia e Forcave Ajrore e Shteteve të Bashkuara që ka publikuar online videon me fjalimin e gjeneralit, e cila në pak kohë është kthyer në virale.

“Kjo sjellje nuk ka vend në radhët e Forcave Ajrore Amerikane dhe nuk ka vend në Shtetet e Bashkuara. Do të ketë përgjigje për gjuhën e rëndë dhe idetë e tmerrshme që janë thënë”, ka paralajmëruar gjeneral Silveria kadetët.