Shurup glukoze i importuar nga Romania shitet si mjaltë në një pjesë të marketeve në vend. Kavanozi i importuar me glukozë kushton 80 denarë, ndërsa qytetarëve u shitet tre herë më shtrenjtë edhe atë si mjaltë. Për t’i dhënë fund këtij mashtrimi, bletarët kërkojnë kontrolle të rrepta të inspektorateve. Ata gjithashtu kërkojnë edhe ndryshime të rregulloreve dhe ligjeve.

Derisa në deklaratën e kavanozit shkruan vetëm kush e paketon, do të ketë pasoja të dëmshme për shëndetin e qytetarëve pa u përgjigjur askush për këtë. në etiketë patjetër të shkruajë kush është prodhuesi e jo kush është paketuesi. Të ndalojmë shkatërrimin e kombit. Duhet të bashkëpunojmë të gjithë, sidomos inspeksionet – deklaroi Pavle Boshkovski, ish kryetarë i federatës së bletarëve.

Ngricat e pranverës dhe i nxehti i madh i verës dukshëm e zvogëluan prodhimin e mjaltit. Prandaj këtë vit mjalti është më i shtrenjtë se vitin e kaluar. Bletarët thonë se probleme të mëdha u shkaktojnë edhe farërat e modifikuara gjenetikisht që ndikojnë në cilësinë, por edhe në sasinë e mjaltit që mund të mblidhet nga bimët.

Me vëmendje e ndjekim situatën në terren dhe do të ndërmarrim masat e duhura – tha  Lupço Nikollovski, ministër i bujqësisë.

Në Maqedoni ka më shumë se 6500 bletarë dhe rreth 234 mijë familje bletësh./alsat-m/