Manuali i titulluar “Pyetje dhe përgjigje praktike për zbatim të Ligjit për procedurë të përgjithshme administrative (LPPA)” është prezantuar sot në punëtorinë në organizim të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA).

Nga MSHIA shpjegojnë se në bashkëpunim me misionin e SIGMA-s e kanë përgatitur manualin me qëllim që të qartësohen disa çështje dhe të lehtësohet zbatimi i këtij Ligji në punën e përditshme të organeve publike. Në implementimin e deritanishëm, siç kumtojnë, janë theksuar një numër i madh i sfidave, edhe pse qëllimi i tij është që të sigurojë procedura administrative më efikase, më të thjeshta dhe më të shpejta.

Biljana Nikollovski-Zhagar, këshilltare shtetërore në MSHIA, në punëtori i ka prezantuar angazhimet e Ministrisë për tejkalim të problemeve me implementimin e LPPA-së dhe hapat dhe aktivitetet e ardhshme për përfundim të rregullativës dhe proceseve, të cilët do ta mundësojnë zbatimin e e LPPA-së, posaçërisht nga aspekti i komunikimit të organeve në procedurë administrative përmes rrugës elektronike.

Sipas kumtesës nga MSHIA, rëndësia e zbatimit të Ligjit, në punëtori e ka potencuar Havier Sisternas, këshilltar më i vjetër në shërbimin juridik të SIGMA-s.

“Demokracia duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, sepse ky është ligj që e zbatojnë institucionet, por para së gjithash për qytetarët. Me LPPA-në duhet të bëhen ndryshime radikale në mënyrën e të menduarit dhe veprimit të administratës, por edhe të qytetarëve. Për këtë arsye është i rëndësishëm implementimi i ligjit”, ka theksuar Sisternas.

Pyetjet dhe përgjigjet e vendosura në doracak i ka prezantuar Zharko Haxhi-Zafirov, avokat dhe ekspert i të drejtës administrative. Ai u bëri thirrje të pranishmëve që të japin propozimet, vërejtje dhe plotësimet e tyre për manualin e përgatitur.

“Manuali është rezultat i debatit më të gjerë, posaçërisht me nëpunësit administrativ të cilët domosdoshmërish i zbatojnë normat e këtij ligji në praktikë, çdoherë kur vendosin për të drejtat e qytetarëve”, informon MSHIA dhe paralajmëron se edhe në të ardhmen do të organizohen takime pune prej të cilëve duhet të dalin propozime konstruktive si për pyetësorin, ashtu edhe për ndryshime dhe plotësime të LPPA-së.