Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, është i gatshëm të ndryshojë datën e mbylljes së merkatos së verës. Ai ka thënë se është e çuditshme që një lojtar të nisë sezonin me një skuadër dhe pas disa ditësh të luajë diku tjetër.
“Jam i ndërgjegjshëm që po zhvillohet një diskutim serioz në të gjithë Europën mbi mundësinë e afrimit të datës së përfundimit të merkatos verore. Ne, nga ana jonë, jemi duke ndjekur me vëmendje këtë kërkesë”, tha Ceferin.
“Sipas këndvështrimit tim, nuk është diçka pozitive kur disa lojtarë e nisin sezonin me një skuadër të caktuar, e brenda pak ditësh ndryshojnë fanellë. Më duket sikur krijon paqartësi. Për këtë arsye jam në favor të afrimit të datës së mbylljes së merkatos”, deklaroi ai në fund.