Qeveria polake ka përsëritur kërkesën për dëmshpërblime për dëmet e pësuara në Luftën e Dytë Botërore.

Mbi marrëdhëniet gjermano-polake ndodhet hija e agresionit gjerman të vitit 1939 dhe e çështjeve të pazgjidhura të pasluftës, tha ministri i Jashtëm i Polonisë, Witold Waszczykowski në bisedë me radiostacionin RFM FM.

“Duhet të ulemi për një bisedë serioze me gjermanët dhe të vrasim mendjen së bashku se si mund të zgjidhet problemi”. Dëmet e luftës mund të jenë në shuma trishifrore miliardëshe, shprehu supozimin e tij Waszczykowski, raporton DW.

Ministri i Brendshëm i qeverisë nacionalkonservatore në Varshavë, Mariusz Blaszczak foli në fundjavë për një bilion dollar, e barabartë me rreth 840 milionë euro.

Waszczykowski tha për këtë se “ndoshta janë edhe më shumë. Llogari të sakta ka më shumë se 70 vjet që nuk janë bërë”.

Nëse Polonia do të kërkonte zyrtarisht reparacione, këtë ministri nuk mund ta thoshte.

“Këtë vendim nuk mund ta marrë i vetëm një ministër. Në pikëpamje morale me siguri që nuk ka diskutim, që janë me vend pagesat ndaj Polonisë. Nga pikëpamja juridike kjo çështje megjithatë, nuk është sqaruar qartë”, tha ai.

Ka disa muaj që politikanë nga radhët e qeverisë polake “E drejta dhe Drejtësia” (PiS) kërkojnë që Gjermania të paguajë me vonesë për dëmet e shkaktuara në Luftën e Dytë Botërore. Kjo temë ka qarkulluar herë pas here nëpër politikën polake, që prej ribashkimit të Gjermanisë. Aktualisht, shërbimi shkencor i Parlamentit Polak po verifikon mundësinë, nëse Polonia ka mundësi juridike që të kërkojë reparacione.

Pas demonstratave masive kundër reformës së diskutuar të drejtësisë, udhëheqja e partisë ndodhet nën presion, në radhët e saj, por edhe në BE. Brukseli ka nisur nga ky shkak një procedurë për shkelje të procedurave të shtetit juridik kundër Polonisë. Qeveria gjermane i ka kërkuar herë pas here Polonisë që të respektojë parimet demokratike. /tesheshi.com/