Policia e Kosovës mohon se të hënën mbrëma qytetarë të Kosovës po synonin të largoheshin nga vendi. Thonë se nuk kanë asnjë informatë zyrtare që gjatë kësaj periudhe kohore ka pasur ikje të kosovarëve në vende të huaja.
Këto deklarime të Policisë i hedhin poshtë pretendimet e disa mediave të cilët duke raportuar për gjoja “ikje masive” të kosovarëve e morën si shkas marrëveshjen e arritur dje pasdite në mes të AKR-së dhe PAN-it.
Daut Hoxha nga Policia e Kosovës sqaroi të martën për Express se nuk ka informacion zyrtar, e as konfirmim nga shtete të BE-së, se ka rritje të kërkesave për azil.
“Nuk kemi informacione zyrtare deri në këtë periudhë për ikjen e kosovarëve. Nuk kemi konfirmim nga asnjë shtet i BE-së se ka rritje të kërkesave për azil në këto shtete”, bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha.
Por, përveç policisë, ikjen masive të kosovarëve e demantoi sot për Express edhe drejtori i Stacionit të Autobusëve Ylber Çitaku. Krejt këto, ai i klasifikoi si dezinformata.
Mbrëmë në emisionin “Interaktiv” të KTV’së, gazetari Xhemajl Rexha, duke komentuar disa pamje nga stacioni i autobusëve, ku shiheshin një numër jo i madh qytetarësh, ka thënë se në vend ka filluar një valë e re largimesh drejt Perëndimit.
Çitaku ka sqaruar për Gazetën Express se nuk ka gjë të vërtetë në këtë situatë, megjithatë thotë se për korrektësi, një ditë pas festës së Bajramit ka pasur diku rreth 15 udhëtarë më shumë që janë nisur për vende tjera.
Ndaj raportimeve, të KTV’së ka reaguar aktivisti i njohur Sali Rexhaj, i cili madje edhe ka postuar fotografi nga Stacioni i Autobusëve, ku nuk shihet asnjë njeri.
“Dezinformate! Pas lajmit ne Interaktivit KTV, mbreme rreth ores 24:00 se ka filluar ikja masive nga Kosova, kjo ishte gjendja e vertete ne Stacionin e Autobusve ne Prishtine. Te falemnderit Hysen Neziri.Uuuuuppppppssss Xhemal Rexha, rrenec dhe idiot ne sherbim te BIA-se serbe.Prokurori i shtetit duhet te merret sot me kete qeshtje, gjithesesi” ka shkruar Rexhaj.
Ndryshe, kujtojmë se vendi u përball me një fluks tejet të madh tre vite më parë, kur shumë qytetarë braktisen vendin në kërkim të një jete më të mirë, për shkak të papunësisë.