Vendimi i Kuvendit për shkurtime në numrin e punonjësve të organeve të vettingut dhe të buxhetit rrjedhimisht, ka ngjallur jo pak reagime, gjë që pasoi edhe me kundërshtime të deputetëve të opozitës, dhe me një seancë të gjatë parlamentare.

Por ajo çka ra më shumë në sy, ishte qëndrimi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili në Komisionin e Ligjeve mbajti qëndrim kundër.

Kjo gjë u shpreh edhe në votën e tij. Tahiri votoi pro njërit projekt-akt të vendimit për shkurtimet në organet e vettingut, ndërsa në dy të tjerët nuk mori pjesë në votim.

Këtë qëndrim të tijin e ka komentuar në emisionin “Kjo javë” me gazetaren Nisida tufa në “News 24”, deputetja socialiste, Klotilda Ferhati.

“Kolegu Tahiri nuk ishte kundër, ka votuar pro në njëri nga projekt-aktet, në dy të tjerët nuk mori pjesë në votim. Ai kishte një argument tjetër që duke besuar se të gjitha analizat juridike dhe profesionale ishin të drejta, dhe mundësitë buxhetore që i ofroheshin organeve të vettingut ishin ato që ishin kërkonte që të rishihej mundësia që nëse ajo që kërkohej nga përfaqësuesit e organeve të vettingut ishte në përputhje me ligjin të mund të shihnim një fleksibilitet në miratimin e asaj strukture që ishte propozuar. Por sigurisht mbizotërojnë argumentet juridikë dhe profesionalë, në lidhje me këtë çështje”, u shpreh deputetja Ferhati.