Moti i keq ka përfshirë Italinë duke shkaktuar 6 të vdekur vetëm në Livorno. Në zonë janë regjistruar shumë përmbytje dhe rrëshqitje të dheut.

6 trupa të pajetë janë gjetur nga zjarrëfikësit në Livorno të Italisë ku gjatë orëve të para të së dielës kjo zonë u godit nga një stuhi e fuqishme.

Gjithashtu ka pasur përmbytje dhe rrëshqitje toke. Autoritetet kanë evakuuar dhe një kamping.

“Situata është shumë e rëndë dhe problematike. Shpresoj të mos jetë katastrofë”, theksoi kryebashkiaku i Livornos, Filippo Nogarin.

“Në Livorno emergjenca nuk ka përfunduar”, shton më tej ai duke nënvizuar se bilanci i viktimave mund të rritet ende.

Nogarin thekson se autoritetet po bëjnë më të mirën e mundshme.

Në jug të këtij rajoni, rrugët janë përmbytur nga uji dhe disa makina janë zhvendosur.

Situatat më kritike është Koliania, Ardenca dhe Montenero pasi uji i rrëmbyer i përzier me baltë është futur në shumë banesa.

Ndërkohë, në rajon rezultojnë dhe 3 persona të zhdukur. Përmbytje ka pasur edhe në disa qytete të tjera të Italisë.