Plani për reforma në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim parashikon zhveshjen e tërësishme të këtij institucioni nga qasja mbi ndjekjen e telekomunikimeve, veprimtari kjo e bazuar në përvojën dhe rregullativën ligjore të shërbimit sekret kroat. Me rekomandimet e Pribesë, siç mëson Alsat, tani në diskutim është formimi i mundshëm i një Qendre Teknike Operative, që do të shërbejë si organi i vetëm i autorizuar për përgjim. Ndjekja e komunikimeve duhet të jetë vetëm në interes të hetimeve penale ose për nevoja të sigurisë shtetërore. DSK-së parashikohet t’i merret roli ndërmjetësues sikurse deri më tani, në mënyrë që t’i pengohet përzierja në pavarësinë e organeve të tjera kompetente.
Por, Qendra Teknike Operative, pavarësish se në planreformë thuhet që të punësuarit e saj mundet vetëm t’i ndjekin telekomunikimet por jo edhe t’i dëgjojnë bisedat, prapëseprapë do të ketë qasje direkte dhe të vazhdueshëm te pajisja, ose te numrat e telefonave në përgjim.
Themelimi i Qendrës Teknike Operative do të bëhet me vendim të Qeverisë, në kuadër të tërësisë së organeve për siguri dhe kundërzbulim, edhe pse në planreformë garantohet se do të jetë organ i pavarur. Roli i kësaj qendre do të jetë edhe koordinimi teknik-operativ mes ofruesve të rrjeteve publike të telekomunikimeve dhe do të ketë rolin ndërmjetësues mes organeve të përfshira në proces. Kërkesën për ndjekjen e telekomunikimeve në Prokurorinë Publike e dërgon vetëm udhëheqësi i institucionit i cili me ligj është kompetent për pranimin e masës, që janë organet e MPB-së. Atë e miraton gjykatësi i Gjykatës Supreme, në rastin e kërcënimit të sigurisë kombëtare apo terrorrizmit. Vendimin e gjykatës, Prokuroria ja dorëzon Qendrës Teknike Operative.
Në planin për reforma në DSK thuhet se pritet që pavarësia dhe ndarja e kësaj qendre teknike operative nga shërbimet e sistemit të sigurisë dhe kundërzbulimit, të garantojë mbrojtje dhe funksionim më të lehtë të shërbimeve të sigurisë.
Drejtorin e QTO-së sipas planit, e emëron dhe shkarkon Qeveria. Mandati i tij do të jetë pesë vjeçar me mundësi rizgjedhjeje. Më herët ishte përfolur që Drejtori do të zgjidhej nga një kolegj i pavarur ekspertësh, për të pamundësuar ndikimet politike ndaj këtij organi. Raportin për punën e saj, Qendra Teknike Operative do ta dorëzojë në Qeveri dhe në Komisionet kompetente parlamentare të cilat do të luajnë rolin e institucioneve të përhershme vëzhguese. Si vëzhgues në plan reformë figurojnë edhe shoqëria civile dhe ekspertët, por roli i tyre nuk precizohet. Reforma mund të zgjasë 12 deri në 18 muaj. Pyetja e madhe qëndron te hapësira kohore e implementimit të kësaj reforme. Sikurse kanë vërejtur edhe ekspertët dhe ambasadat e huaja, ekziston rreziku i keqpërdorimit të masave për përgjim si dhe keqpërdorimit të pajisjeve për përgjim, qoftë edhe nga struktura brenda DSK-së. Në planin për reforma nuk thuhet se si do të pengohen punësimet partiake në Drejtoritë e Shërbimit Sekret, gjë që ka qenë e pranishme në të shkuarën. Aktualisht, ministri i brendshëm Spasovski ka punësuar si kryeshef në Drejtorinë e Dytë bashkëshortin e ish ministres teknike për Punë dhe Politikë Sociale Frosina Remenski, Jovçe Remenski ndërkohë që në Drejtorinë e Gjashtë, ish truprojën e tij, i njohur gjatë ngjarjeve të 27 prillit në Kuvend, Sasho Tasevski.
Po ashtu, më tej mbetet enigmë edhe fati i Agjencisë së Inteligjencës nën zyrën e Presidentit, e cila për disa vite me radhë funksionon si e pavarur dhe jo brenda organeve të tjera të MPB-së, ashtu sikurse ka qenë në të kaluarën. Gjatë periudhës së hetimeve nga Prokuroria Speciale për rastet me përgjimin dhe shkatërrimin e pajisjes përgjuese, si dhe pas ngjarjeve të 27 prillit, pati zëra më shumë se 10 agjentë të DSK-së dhe zyrtarë të MPB kërkuan transferim vendimesh pune për në Agjencinë e Inteligjencës, për t’u vendosur nën obrellën politike të Ivanovit, lëvizje kjo që nuk u realizua./alsat