Legjenda e Brazilit dhe futbollit botëror, Edson Arantes do Nascimento, i njohur si Pele, shprehet se ndihet krenar për ngritjen në majën e futbollit botëror të talentit brazilian Neymar. Kur flet për 25 vjecarin, Pele shfaqet mjaft pasionant pasi duket se rrëmbehet edhe nga kujtimet e së shkuarës. Neymar i evokon Peles rininë e tij, karrierën e shkëlqyer që nga ngritja me Santosin e më pas me Brazilin. Gjatë një interviste që 76 vjecari dha në Barcelonë u shpreh se njerëzit e pyesin për Neymar gjatë gjithë kohës.

Të gjithë duan të dinë si ndihem unë kur e krahasojnë atë me mua. Ajo që mund të them është se ndihem krenar për këtë futbollist të ri. Im bir ka qënë trajner i të rinjve tek Santos dhe unë e njoh atë e të atin e tij prej shumë vitesh. Jam shumë krenar që ai është një produkt i Santos dhe shpresoj shumë që të jetë po aq fatlum sa dhe unë në karrierën e tij si futbollist, shprehet Pele.

Në të vërtetë janë të shumtë lojtarët që përgjatë viteve i kanë cilësuar si Peleja i ri, por asnjë prej tyre nuk ka arritur të ngjitet deri në piedestalin e Brazilianit. Pele e drejtoi Brazilin në tre fitore të Kupës së Botës, si dhe numëron një rekord prej 1281 golash në karrierë.

Më kujtohet një episod me tim bir kur ishte trajner i të rinjve tek Santos, më thotë se kishte një fëmijë mjaft të talentuar por unë nuk e prisja kurrë që të ishte i këtyre niveleve, shton Pele.

Edhe Neymar si Pele ishte ylli i Santosit, por tek Barcelona gjërat ndryshuan, Braziliani ishte pjesë e trekëndëshit me Lionel Messin dhe Luis Suarez.  Gjatë prezantimit tek Barca në 2013, Neymar deklaroi për mediat katalanase se ndodhej atje për të ndihmuar Messin, dërsa sot pas largimit tek PSG ai e cilësoi Messin si atletin më madhështor që ka parë në jetën e tij ndërkohë që tashmë për të është koha e sfidave të reja në karrierë.

“Tani ai përballet me një përgjegjësi shumë më të madhe. Njerëzit kanë filluar të krahasojnë Neymar me Messin dhe për mua padyshim që ai është lojtari më i mirë në pozicionin e vet. Nuk ka dyshime se e presin vetëm suksese në të ardhmen edhe pse ka gjëra që duhet ende t’i përmirësojë. Sot edhe pse me stile të ndryshme, Cristiano Ronaldo, Messi dhe  Neymar janë lojtarët më të mirë në botë, vijon Pele.

Gjatë 9 viteve të fundit “Topi i Artë” është fituar ose nga Messi repsektivisht 5 herë, ose nga Ronaldo katër herë, ndërkohë që pritet që në muajin Dhjetor portugezi të fitojë të pestin.

Tani është momenti që Neymar të shfaqë gjithë talentin e tij. Mendoj se kalimi tek Parisi ishte vendimi më i mirë për Neymar. Aty do të ketë mundësinë të shfaqet sic është, një gjigand pa hijen e askujt. Besoj se ai do të jetë ndër lojtarët më të mirë në Kupën e Botës Rusi 2018, përfundon Pele.