Kina nuk do të lejojë përdorimin e fuqisë ushtarake për zgjidhjen e problemeve të Gadishullit korean, deklaroi sot zëdhënësi i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme Geng Shuang.

Paraprakisht, ministrja e Punëve të Jashtme e Koresë Jugore, Kang Kjung-va deklaroi se beson se kolegu i saj kinez Vang Ju është i hapur për vendosjen e sanksioneve shtesë për Korenë Veriore.

Pas bisedës së djeshme me shefin e diplomacisë kineze Kang deklaroi se nuk mund të japë detaje, por potencoi se Kina do të mund të jetë e hapur për vendosjen e sanksioneve shtesë për Phenianin.

Ambasadori kinez në KB, Liu Xhiei dje i bëri thirrje Koresë Veriore të ndalojë “të bëjë hapa të gabuara”, ndërsa të gjitha palët në konflikt “seriozisht” ta shqyrtojnë propozimin e Pekinit për ndërprerjen e raketës balistike dhe programit bërthamor të Phenianit.

Në deklaratën e njëjtë, Kina kërkoi nga SHBA-ja dhe Koreja Veriore t’i ndalojnë stërvitjet e tyre ushtarake në rajon.

“I bëjmë thirrje Phenianit të ndalojë me marrjen e aksioneve të cilat janë të gabuara, e keqësojnë gjendjen dhe nuk janë në pajtim me interesat e Koresë Veriore. Kërkojmë që ky vend të kthehet në rrugën për zgjidhjen e çështjeve me dialog”, deklaroi Liu në seancën speciale të Këshillit të Sigurimit të KB-së.

Ambasadori kinez paralajmëroi se Kina nuk do të lejojë kaos dhe luftë në Gadishullin korean.