Kryesia e PDK’së ia ka lënë kryetarit të saj Kadri Veseli që të dalë me propozimet për emra të ministrave që i takojnë kësaj partie në Qeverinë Haradinaj. Kjo pritet të ndodhë sot, konfirmon nënkryetari i PDK’së, Enver Hoxhaj. Ai paralajmëron edhe ndryshime në emërtimet dhe kompetencat e dikastereve ministrore.

Ka përfunduar mbledhja e kryesisë së PDK’së. Pas mbledhjes, nënkryetari i saj Enver Hoxhaj ka treguar për Gazetën Express se çka është biseduar në të.

Ai tregoi se PDK ende nuk ka diskutuar për emrat e ministrave, 6 prej të cilave do t’i ketë në bazë të marrëveshjes PANA.

“Deri më tash nuk ka pasur debat për emrat e ministrave, por vetëm për prioritet dhe punët që duhet të kryej qeveria e ardhshme”, tha Hoxhaj.

Por, ai tregoi se kryesia e PDK’së ia ka lënë kryetarit Kadri Veseli që të dalë me propozime.

“Na kemi mandatuar kryetarin Veseli me dalë me një propozim për çdo sektor që do ta drejtojë PDK’ja”, sqaroi Hoxhaj.

Hoxhaj, për Express tregoi edhe se mund të ketë ndryshime në emërtimet e ministrive dhe në përshkrimin e punës së tyre. Por nuk konfirmoj nëse do të krijohet ndonjë dikaster i ri ministror.

“Unë besoj që kur të del përbërja e qeverisë Haradinaj, do ta dimë saktësisht se cilat ministri do të jenë dhe titullin e saktë të tyre dhe përshkrimin e punës”, tha ai.

Krejt në fund, Hoxhaj përsëriti që seanca për votimin e Qeverisë së re të koalicionit PANA-minoritet të mbahet të shtunën, siç edhe është paralajmëruar. /GazetaExpress/.