Dy nxënës ndajnë një karrige. Më këto vështirësi përballen nxënësit e shkollës fillore “26 Maji” në Orizare. Për shkak të mungesës së një objekti shkollor në Vizbeg, numri i nxënësve në këtë shkollë kalon shifrën e lejuar me Ligjin për arsim fillorë, duke kaluar kështu mbi 34 nxënës për çdo paralele.

Numri i madh i nxënësve, ua vështirëson arsimtarëve zhvillimin e procesit mësimorë.

Duke e ditur se secilit nxënës duhet t’i qasesh personalisht, do të na duhet patjetër të zvogëlohet numri i nxënësve që të kemi proces të suksesshëm mësimorë. Duke u bazuar në përvojën time, me 24 nxënës do të kishim një paralele ideale –  tha Tatjana Trokoska, mësuese.

Drejtori i shkollës Halit Sejdiu thotë se objekti shkollor nuk i plotëson kërkesat e gjithë këtyre nxënësve, numri i të cilëve vazhdimisht shënon rritje. Sejdiu thotë se këtë problem e ka paraqitur në Komunën e Butelit dhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, por as njëra e as tjetra deri tani i janë përgjigjur pozitivisht.

Në Ministrinë e Arsimit me vite me radhë kemi bërë kërkesë. Nga atje na kanë dhënë një shpresë se do të ndërtohet shkolla në lagjen e Vizbegut mirëpo edhe Komuna e Butelit po e zvarritë fillimin e ndërtimit të shkollës dhe kjo problematikë mbetet ashtu si është – theksoi Halit Sejdiu – Drejtor i Sh.F. 26 Maji.

Komuna e Butelit nuk e pa të arsyeshme që të përgjigjet në pyetjet e TV Alsat, nëse është marrë parasysh apo jo kërkesa për ndërtimin e një shkolle të re. Ndërkaq Ministra e Arsimit dhe Shkencës pranoi se kanë marrë kërkesa për formimin e paraleleve të reja dhe se ata po shqyrtohen, mirëpo premton se deri në vitin e ardhshëm shkollorë, këto probleme do të mënjanohen.

Aty ku kërkohet ndarje e paraleleve, d.m.th ne kemi marrë kërkesa nga shkollat ku ka numër më të madh të nxënësve, për lëshimin në përdorim të paraleleve të reja dhe financimin e tyre dhe për këtë gjë kemi bërë verifikime – tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës – Renata Treneska Deskovska.

Ligji për arsim fillorë parasheh që një paralele të ketë prej 24 deri 34 nxënës në një paralele.