Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se është e domosdoshme përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë – Serbi.

Në një postim në Facebook, Pacolli ka shkruar se përfshirja e SHBA-së në dialog duhet të bëhet për shkak të rolit që Amerika kishte në përfundimin e luftërave në Ish-Jugosllavi.

“Duke marrë parasysh rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përfundimin e luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, ndërtimin e paqes dhe garantimin e stabilitetit në Evropën Juglindore, respektivisht Ballkanin Perëndimor është pothuajse e paimagjinueshme dhe shumë e vështirë të ketë një Marrëveshje përfundimtare/historike Kosovë-Serbi pa përfshirjen direkte të ShBA-ve”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

“Andaj, përfshirja direkte e SHBA-së bashkë me BE-në, në fazën përfundimtare është e domosdoshme, në mënyrë që të sigurohet një Marrëveshje përfundimtare e pranueshme dhe e zbatueshme për të dy palët”, ka shkruar ai.