Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujra Osmani sot në konferencë për shtyp kushtuar asaj që është punuar në 100 ditët e para të Qeverisë, tha se nevojiten hapa të posaçme nga ana e Bashkimit Evropian, por edhe nga vendet-anëtare në drejtim të dukshmërisë së perspektivave evropiane të Maqedonisë.

“Përparimi në proceset eurointegruese të Republikës së Maqedonisë për fat nuk paraqet rast të izoluar në Ballkan, por është në drejtimin e njëjtë me valën e re të optimizmit rajonal evropian, i cili është i zgjeruar te vendet-anëtare të Unionit. Na nevojiten hapa konkrete nga ana e BE-së, por edhe nga ana e vendeve-anëtare në drejtim të dukshmërisë së perspektivave evropiane të RM-së, në drejtim të përforcimit të optimizmit evropian në vend dhe rajon”, shtoi Osmani.

Ai potencoi se për shkak të ngecjes shumëvjeçare të shkaktuar më së shumti nga kriza e thellë institucionale në vend, gjatë 100 ditëve të kaluara Sekretariati për Çështje Evropiane, por edhe Qeveria kanë qenë tërësisht të orientuara drejt kthimit të vendit në rrugën e BE-së.

“Si Qeveri e re kemi hasur marrëdhënie të ngrira me partnerët tanë strategjik, të cilët drejtpërdrejtë na drejtohen si vend me institucione të robëruara, që kontribuon për ngecje të proceseve euroatlantike. Sfida jonë më e madhe është ta largojmë atë ngecje”, shtoi ai.

Ai numëroi një pjesë të aktiviteteve të zbatuara në këtë periudhë – vizita e delegacionit qeveritar në Bruksel, vizita e Johanes Hanit, i cili mori pjesë në seancën tematike të Qeverisë, kushtuar proceseve eurointegruese, planit 3-6-9.

“Pjesa tre është në fazën finale të implementimit, e cila duhet të kurorëzohet me mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme dhe kredibile. Realizimi i suksesshëm nga pjesa tre nga plani presim të përfundojë me largimin e kushtëzimit të rekomandimit, që është hap i parë për marrjen e datës për negociata për anëtarësim të plotfuqishëm”, tha Osmani.

Ai shtoi se paralelisht punohet edhe në përgatitjen e pjesëve 6 dhe 9 dhe me implementimin e tyre do të zbatohen të gjitha reformat e nevojshme.

Si të përfunduar e përmendi edhe miratimin në Qeveri të Propozim-ligjit për gjuhët, nënshkrimin e Marrëveshjes për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bullgarinë, vizitën e ministrit grek të Punëve të Jashtme, Nikos Koxias në Maqedoni.

U punua edhe në zhbllokimin e të gjitha trupave dhe aktiviteteve, të cilat janë në kompetencë të SÇE-së, punohet në Planin kombëtar për miratimin e së drejtës së BE-së (NPA), që ishte ngrirë, respektivisht ishte në pushim, janë ngritur edhe trupa ndërdikasterialë, siç është Komiteti punues për integrim evropian, por edhe trupat e përbashkët me BE-në, siç janë Komiteti për Stabilizim dhe Asociim dhe Këshilli për Stabilizim dhe Asociim.

Ai këto 100 ditë iu përkushtua edhe funksionit koordinator kombëtar për të a.q. IPA strukturën.

“Në ingerencën tonën është monitoringu i zbatimit të mjeteve në IPA , ndërsa procesi i lidhjes së marrëveshjeve është në kompetencë të financave dhe te vet shfrytëzuesit”, sqaroi Osmani.

Zëvendëskryeministri informoi se në rezultatet nga raporti për IPA 1 pako, i cili për periudhën 2007-2013 treguan se janë ndarë 614 milionë euro, ndërsa në dispozicion janë vënë 437 milionë, që është mbi 70 për qind, por mbi 150 milionë ose rreth 25 për qind nuk janë shfrytëzuar dhe kthehen në BE.

Në vijim është realizimi i projekteve nga IPA 2 pakoja për periudhën 2014-2020, në dispozicion janë 644 milionë euro të reja, prej tyre 67 për qind ose 445 milionë tashmë janë programuar dhe sistemuar për implementim të mëtejshëm nëpër projekte. Në këtë moment punohet në programimin e edhe 172 milionë euro, por megjithatë edhe këtu mbi 40 milionë euro tashmë janë humbur në fazën e vet programimit, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të gjenerohen humbje shtesë.

Osmani theksoi se vërejtjet nga raporti për IPA do të jetë bazë për master plan të ri për reformë të IPA strukturës, por edhe për reforma të përgjithshme në drejtim të rritjes së kapaciteteve të shtetit dhe shfrytëzimit të rritur të këtyre mjeteve.