Partitë opozitare kritikojnë 100 ditshin e Qeverisë. Ata konsiderojnë ekzekutivi ka dështuar që nga rebalancimi i buxhetit, ndryshimet në ligjin për rrogën minimale, shkarkimi i Prokurorit Publik dhe hartimi i ligjit për gjuhët. Lëvizja Besa vlerëson Qeveria ka politizuar institucionet, ndërsa pohon se që tani e tutje do të jetë e kujdesshme në qasjen e saj konstruktive ndaj proceseve. Kreu i Lëvizjes Besa Bilall Kasami theksoi se kjo qeveri po humb besimin duke mos zbardhur rastet pikante gjyqësore që kanë të bëjnë me shqiptarët.
Tashmë nuk është lajm të thuhet që njësoj si në Qeverinë e kaluar po vazhdon në mënyrë të njëjtë partizimi i institucioneve të shtetit dhe në vend të vlerësimit të profesionalizimit, vazhdon që byro e punësimit të jetë partia në pushtet madje duke ndërhyrë edhe nëpër institucionet shkencore dhe arsimore -tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja vlerëson se Qeveria ka shkelur çdo premtim të dhënë në fushatë zgjedhore. Sipas partisë më të madhe opozitare, Qeveria ka dështuar në reforma, ndërsa ka pasur sukses në rënie ekonomike dhe largimin e investitorëve të huaj.
Kjo Qeveri kishte premtuar që mbi gjitha do t’i përmirësoj marrëdhëniet ndër-etnike dhe do të ndërtojë ura ndërlidhëse. Në vend të kësaj kjo Qeveri po instalon kushte për trashjen e mosbesimit mes bashkësive etnike dhe institucioneve shtetërore. Të ju rikujtoj se kishte premtime se do të zbardhen rastet si Monstra dhe Sopoti, premtime nga funksionar të lartë të LSDM-së, por deri më tani nuk është bërë asgjë në këtë drejtim – u shpreh Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Ndërkohë Partia Demokratike Shqiptare si parti e tretë opozitare ishin të pakapshëm për të komentuar 100 ditshin e Qeverisë. Ditë më parë Qeveria prezantoi raportin 100 ditorë të punës saj. Ndër të arriturat më të mëdha, ekzekutivi potencoi rritjen e rrogës minimale, ndërprerjen e projekteve buxhetore të panevojshme, kompensimin e bujqve dhe mbi gjitha mbylljen e Marrëveshjes së Ohrit me inicimin e ligjit për gjuhën shqipe.