Ligji për amnisti i propozuar së fundmi nga Qeveria e Maqedonisë, sipas të gjitha gjasave pritet të përfshijë mbi 800 të burgosur. Duke ju referuar të dhënave zyrtare, numri i përgjithshëm i të burgosurve në Maqedoni arrin deri në 3000, prej të cilëve dy tretat e personave që vuajnë dënimin me burg apo rreth 2000 janë të vendosur në burgun e Idrizovës, shkruan gazeta KOHA.

Vepra penale, të cilët do t’i nënshtrohen procesit të amnistisë, siç kanë njoftuar nga kabineti qeveritar, nuk i përfshin veprat e rënda penale, por vetëm atë kategori të të burgosurve të cilët vuajnë dënim me burg për 6 muaj.

Dhe, nga ana tjetër, ulja prej 30 për qind e dënimit do t’ju zvogëlohet të burgosurve që janë të dënuar nga 3 deri në 5 vite burg. Nga numri i përgjithshëm i të burgosurve, sipas të dhënave zyrtare, mbi 1000 persona vuajnë dënimin me burg për shkak veprës penale “vjedhje”. Dënimin me burg nga 3 deri në 5 vite në Maqedoni e vuajnë mbi 700 të burgosur, respektivisht këto sanksione – sipas propozimit Ligjit të ri për amnisti, pritet të zvogëlohen për 30 për qind. Ndërkohë, po aq të burgosur e vuajnë dënim prej 5 deri në 10 vite heqje lire.

Përderisa dënimin me burg prej 3 deri në 6 muaj, masë kjo e cila pritet të përfshihet në amnistinë e plotë, në burgjet e Maqedonisë e vuajnë mbi 100 persona. Në kuadër të numrit të përgjithshëm të të burgosurve, rreth 40 persona janë të dënuar me burg të përjetshëm, për të cilat kohë më parë gazeta KOHA njoftoj se gjysma e këtyre të burgosurve janë shqiptarë, gjegjësisht shumica prej tyre burgun e vuajnë në Idrizovë.

Ndryshe, Qeveria në seancën e mbajtur në fillim të kësaj jave e shqyrtoi dhe miratoi propozim-ligjin për amnisti, me çka i rekomandoi Ministrisë së Drejtësisë dhe shërbimeve qeveritare t’i sigurojnë kushtet për ekspertizë në propozim-tekstin e Ligjit deri te ministritë e involvuara, si dhe deri te opinioni më i gjerë, ndërsa mori edhe vendim që miratimi i Ligjit të shkojë në procedurë të rregullt. Ligji i ri për amnisti, gjatë dy-tre javëve të ardhshëm do të jetë në dispozicion të sektorit civil dhe opinionit më të gjerë për debat. Qëllimin e miratimit të një Ligji të këtillë, Qeveria e ka arsyetuar se është shprehje e vullnetit të mirë të shtetit ndaj një grupi të caktuar të personave të dënuar, me qëllim të risocializimit të tyre dhe për lirimin e burgjeve nga numri i madh të personave që aktualisht vuajnë dënimin me burg, si dhe kushtet në institucionet ndëshkuese-përmirësuese.