Sot për vizitë në Komunën e Gostivarit qëndroi Princi Michael i Kentit. Shkak i vizitës ishte inaugurimi i fabrikës “PRG Angli”, në fshatin Balindoll të Gostivari.

Kompania mundësoi punësimin e dyzet personave ndërsa investimi total kushton 12 milion dollarë. Por ky nuk ishte lajmi i vetëm, për shkak se kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë “PRG Angli”, Raymond Power, paralajmëroi hapjen e fabrikës tjetër në Gostivar me vlerë prej 15 milion dollarë dhe me vende të lira pune për 70 qytetarë të Gostivarit.

“Me kënaqësi mund të them faleminderit fillimisht për Kryetarin tonë, z. Bejta i cili i dha mbështetje të paimagjinueshme ekipit tonë dhe pa mbështetjen e të cilit ne nuk do të mund të kishim sukses”, potencoi Power, i cili me këtë rast prezantoi investimin e radhës në hapjen e një fabrike të re në rajonin e Gostivarit me vlerë financiare prej 15 milion dollarësh”, tha Power.

Do të jetë objekt me vlerë prej 15 milion dollarë amerikan i cili do të mund të përpunon një numër të madh metalesh dhe do të mundëson hapjen e vendeve të reja të punës për më tepër se 70 persona.

“Vazhdimi i investimeve tona këtu në Gostivar është një formë e falënderimit dhe përkushtimit afatgjatë që kemi ndaj Gostivarit”, përfundoi Power.

“Sot inaugurojmë zyrtarisht hapjen e fabrikës bashkëkohore të kompanisë “PRG Angli” për prodhimin e materialeve biokompatibile këtu në fshatin tonë Balindoll, në komunën e Gostivarit. Prodhime këto që do të shiten në tregun botëror. Komuna e Gostivarit është tashmë një portë e hapur për investimet serioze. Dhe “PRG Angli” e ka treguar tashmë seriozitetin e saj duke punësuar 40 banorë të Komunës dhe duke investuar deri 12 milionë dollarë për këtë fabrikë”, tha Kryetari i Gostivarit, Nevzat Bejta.

Gostivari, tha Bejta, këto vite të fundit është përqendruar të bëhet më mikpritës i kompanive që rrisin punësimin, si “PRG Angli”.

“Ky investim është vetëm fillimi i fryteve të suksesit që kemi arritur së bashku me banorët e Komunës së Gostivarit.Tani jemi gati të ndërtojmë së bashku Gostivarin e Nesërm! Investime si kjo fabrikë janë hapat e para. Investime të tjera do të vijojnë, sepse mbi themelet që ndërtuam së bashku, Gostivari i Nesërm ka në qendër ekonominë lokale dhe punësimin”, shtoi Bejta.

“Faleminderit “PRG Angli” për këtë mundësi për banorët e Balindollit dhe Komunës së Gostivarit në përgjithësi. Faleminderit Princ për nderin me pjesëmarrjen tuaj në këtë rast të veçantë! Faleminderit të dashur banorë të Balindollit dhe të gjithë të pranishmit”, përfundoi fjalimin Kryetari Bejta.

Të pranishmit i përshëndeti edhe Princi Michael i Kentit.

“Me kompanitë si PRG” të cilat janë kompani të certifikuara ndërkombëtare dhe pakonflikt, keqpërdorimet i takojnë të kaluarës. Kjo është po aq e rëndësishme nga fakti që janë publikisht të pranuara nga kompani udhëheqëse botërore siç është Apple”, tha në fjalimin e tij Princi Michael i Kentit, i cili në bisedë me Kryetarin Bejta shprehu dëshirën që sërish ta viziton Gostivarit në vitet në vazhdim