Aktualisht, në Shkup vetëm një ekip i Ndihmës së shpejtë shërben 70 mijë qytetarë. Drejtori i ri i Qendrës Shëndetësore – Shkupi, Zllate Mehmedoviq, paralajmëroi se do të kërkojë rritje të kapacitetit të Ndihmës së shpejtë, respektivisht numri nga 10 ekipe kujdestare, të rritet në 15. Ai thotë se nga 14 makinat sa i ka Ndihma e shpejtë, funksionale janë vetëm nëntë, ndërsa sipas tij, nevojiten minimum 30 makina funksionale. Kushtet aktuale në të cilat punon Ndihma e shpejtë, ai i vlerësoi si të padenja.

“Kushtet me të vërtetë janë nën nënvlerësuese dhe ato duhet të përmirësohen, por derisa nuk mbarojnë zgjedhjet ne nuk mund të punësojmë kuadër të ri mjekësor, sepse ka konflikt interesash me Komisionin për Antikorrupsion, nëse ata na mundësojnë që gjatë zgjedhjeve të punësojmë staf i cili do të na ndihmonte në ekipimin e shërbimeve”, tha drejtori i Qendrës Shëndetësore – Shkup, Zllate Mehmedoviq.

Sipas tij në këtë institucion duhet të përforcohet mbrojtja parandaluese, me qëllim që të lehtësohet puna e Qendrës Klinike “Nënë Tereza”. Për momentin, në Qendrën Shëndetësore – Shkupi, ka 1200 të punësuar. Sipas Mehmedoviqit, që qytetarët të mund të marrin mbrojtje shëndetësore sa më cilësore, do të duhet të punësohen të paktën edhe 500 persona të tjerë. Mehmedoviq, vjen në postin drejtor i Qendrës Shëndetësore – Shkupi, në vendin e ish-drejtoreshës Tanja Baevska-Vuçkoviq, e cila tashmë punon si mjek-pediatër dhe i ishte kushtuar sub-specializimit të saj, në fushën e alergologjisë së fëmijëve.