Të paktën 100 mijë persona janë zhvendosur dhe dhjetëra shtëpi dhe toka bujqësore janë zhytur në përmbytje të rënda nëpër disa komunitete të shtetit Benue të Nigerisë qendrore, bëjnë të ditur autoritet e këtij vendi, raporton Anadolu Agency (AA).

“Presidenti Muhammad Buhari raportet e përmbytjeve në shtetin Benue i ka marrë me shumë shqetësime, që sipas vlerësimeve të hershme ka prekur mijëra shtëpi dhe ka zhvendosur më shumë se 100 mijë persona në 12 zona të qeverisjes vendore”, tha zëdhënësi presidencial Garba Shehu në një deklaratë mbrëmjen e së enjtes.

Presidenti ka urdhëruar Agjencinë Kombëtare të Menaxhimit të Emergjencave (NEMA) që menjëherë të mobilizojë personelin për të ardhur në ndihmë të viktimave të përmbytjeve si dhe po monitoron nga afër situatën, shtoi ai.

Përmbytjet janë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe lëshimin e ujit të tepërt nga një digë në Kamerun, që kufizohet me vendin perëndimor afrikan.