Nga e hëna qeveria me institucionet kompetente do të përcaktojnë afate të reja për finalizimin e autostradës Kërçovë – Ohër. Do të bisedohet për vazhdimin e kontratës me firmën kinezë Sinhohidro, pasi pas parregullsive që u konstatuan në terren, nuk do të përfundojë edhe kjo autostradë deri në afatin e paracaktuar. Tani për tani nuk dihet sa para shtesë do të shpenzohen. Derisa, kërkohet zgjidhje për tejkalimin e këtyre problemeve, nga ndërmarrja publike për rrugë shtetërore, thonë për Alsat M se organet mbikëqyrëse të të dyja autostradave, disa herë kanë tërhequr vërejtjen për parregullsi. Për këtë kanë pasur njohuri edhe në ndërmarrjen publike për rrugët shtetërore, por askush nuk ka reaguar, tha drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Zoran Kitanov. Ai thekson se paraardhësi i tij, Aleksandar Stojanov dhe Qeveria nuk kanë ndërmarrë asgjë.

Por ish drejtori Stojanov në bisedë telefonike për Alsat M, tha se nuk i kujtohet se ka pasur kërkesë të tillë. Ai shton se aneks-kontrata për autostradën Milladinovc – Shtip është e vjetër. Tani vetëm ka kaluar në Kuvend.

Ministri i transportit dhe lidhjeve, Goran Sugarevski thotë se me marrëveshjen e arritur me kompanitë kineze vazhdohen afatet për përfundimin e autostradës drejt Shtipit deri në fund të shtatorit të vitit të ardhshëm.

Ndërmarrja publike mori përsipër obligimin që të mos arkëtojë dënime deri më 15 shkurt dhe poashtu të mos paguhen kërkesat për dëme që i kërkon Sinohidro deri më 15 shkurt. Në asnjë moment nuk guxon të ndërpritet ndërtimi atje, dhe autostrada patjetër duhet të ndërtohet. Rreth 74 për qind është realizuar atje – deklaroi  Goran Sugarevski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Sugarevski thotë se me aneks-kontratën praktikisht zhbllokohet në tërësi puna në terren për të dyja autostradat. Tashmë kanë filluar përgatitjet së bashku me EVN-në dhe MEPSO-n, të dislokohen 14 largpërçues të ndryshëm me çka praktikisht do të mundësohet, realizimi i këtyre projekteve kryesore të komunikacionit.