Sulmuesi i Maqedonisë, Iljia Nestorovski, i ka hedhur dorashkën e sfidës portierit të përfaqësues shqiptare, Etrit Berisha, duke kujtuar sot në konferencën për shtyp se gardiani i kuqezinjve nuk ishte i pakalueshëm.

Në pyetjen e gazetarit të “Lajm”-it se sa e njeh Berishën, Nestorovski është lavdëruar duke thënë:

“Pyeteni Berishën, më duket se me njeh shumë mirë. Disa muaj më parë i kam shënuar një gol në ndeshjen mes Palermos dhe Atalantës”, tha Nestorovski i cili luan me skuadrën e Palermos.

Sulmuesi i referohej ndeshjes së javës së 6 të sezonit të kaluar në kampionatin italian të futbollit, kur Palermo fitoi në transfertë me shifrat 1-0 falë golit të tij. Në atë ndeshje, e cila ishte e dyta për Berishën me fanellën e Atalantës, ai realizoi në minutën e 89-të me një prekje të zgjuar pas një goditje këndi duke dërguar topin në rrjetë.