Deklarata e bërë nga ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, një ditë më parë, se “Berisha nëse do e shkarkon Lulzim Bashën për 24 orë nga kreu i partisë”, ka ngjallur jo pak reagime.

Nënkryetari i PD, Edi Paloka, në emisionin “Kjo javë” në “News24”, thotë se askush nuk mund të shkarkojë kryetarin e partisë, qoftë ky edhe ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Sipas Palokës, nuk mund të shkarkohet në një mënyrë të tillë, kryetari i cili ka marrë votat e anëtarësisë.

Më tej, deputeti demokrat tha se Topalli dhe Patozi janë dy figura me përvojë të gjatë në strukturat e PD, dhe e dinë se partia nuk funksionin kështu, pra me shkarkime.

“Nuk kam dëshirë të komentoj deklarata që nuk i njoh. Por nëse do të ishte kështu, është e gabuar, sepse askush nuk mund të shkarkojë kryetari i partisë, qoftë edhe Berisha, ndërkohë që ai ka marrë votat e anëtarësisë. Mendoj se edhe Patozi edhe Topalli kanë jo vetëm përvojën e gjatë në strukturat e PD, por kanë edhe pjekurinë e duhur për të kuptuar se nuk funksionon kështu partia. Nëse kërkojmë funksionimin e statutit, e dimë që nuk funksionon kështu. Për mua kjo nuk është një deklaratë me logjikë. Unë nuk po them që këto figura duan ta shkatërrojnë PD. Nuk kam dëgjuar të thotë dikush që kanë krijuar fraksione.

Kur të shtrihet dora të komunikosh me ide, apo të bindësh anëtarësinë që ke një platformë për të ardhur në pushtet, futesh në konkurrim dhe fiton nëse ke shumicën, por nëse përpiqesh vetëm të dëmtosh, nuk funksionon. Dhe ne rastet i kemi, gjatë fushatës së 2017, unë e kam thënë edhe në vend tjetër, për fat të keq, për pakënaqësi të momentit, patëm anëtarë kryesie që deklaruan dhe i kërkuan demokratëve të mos votojnë. Dolën në konferencë shtypi dhe i kërkuan demokratëve të mos votojnë. Pati nga ata që për karshillëk shkuan dhe bënin selfie nga Parisi, dhe i postonin në FB. Pati të tjerë që nuk shkuan të votojnë”, tha Paloka.