Ligjin për rrogën minimale, për punëtorët falimentues dhe për heqjen e taksës radiodifuzive shumica parlamentare i parashtroi në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Sipas tyre, siç qëndron në kumtesë, këto ligje me rëndësi kyçe do të kontribuojnë për më shumë para tek qytetarët, për uljen e dallimeve sociale dhe për rregullimin e padrejtësisë me punëtorët falimentues.

Shtojnë se me Propozim-ligjin për sigurim material të personave të papunë për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve me pronësi dominante të shtetit, materialisht do të sigurohen mbi 3.500 persona të cilëve iu është ndërprerë marrëdhënia e punës në bazë të falimentimit, likuidimit apo tepricës teknologjike në periudhën prej vitit 1995 përfundimisht deri më 30 qershor të vitit 2017. Të gjithë ata të cilët i përmbushin kriteret do të marrin kompensim mujor prej 7.596 denarëve.

Me ndryshimet në Ligjin për shërbime audio dhe audiovizuale mediale, do të hiqet taksa radiodifuzive për të gjithë qytetarët dhe më tutje kjo taksë nuk do të jetë obligim financiar i familjeve.

“Ligjet e parashtruara sjellin përfitime për të gjithë qytetarët dhe për këtë arsye është e domosdoshme të gjithë deputetët nga të gjitha partitë parlamentare të tregojnë përgjegjësi dhe t’i miratojnë ndryshimet e propozuara që janë në interes të qytetarëve”, theksojnë nga LSDM.

Konsiderojnë se VMRO-DPMNE duhet ta tejkalojë veten dhe të heqë dorë nga bllokadat dhe obstruksionet në Kuvend, e tërë kjo me qëllim që masat që sjellin të mira për të gjithë, të miratohen sa më shpejtë.

“Qeveria e kryesuar nga LSDM dhe shumica parlamentare vazhdojnë të punojnë në interes të qytetarëve”, theksohet në kumtesë.