Kundërvënia e rinisë shqiptarë ndaj sjelljes së armëve kimike në Shqipëri, dhe së reagimi i Shoqërisë Civile dhe opinionit publik kundër ligjit të mbetjeve, janë dy momente të rëndësishme në 26 vite pluralizëm. Këtë e ka shprehur ish-ministri i PD-së, Besnik Mustafaj në rubrikën “Opinion”.

Ai u shpreh se këto dy momente, kanë bërë që zëri i qytetarëve të dëgjohet.

Sa i takon ligjit të mbetjeve, Mustafaj tha se janë dëgjuar dy qëndrime të Ramës, një kur ishte në opozitë, dhe një tjetër në pushtet.

“Në këto 26 vite të pluralizmit, dy janë momentet kur unë jam ndjerë disi i ngazëllyer. Së pari kur rinia iu kundërvu sjelljes së armëve kimike për t’u shkatërruar në Shqipëri, dhe së dyti kundërvënia e shoqërisë civile dhe opinionit publik ndaj ligjit të plehrave. Në një gazetë franceze thuhej, ‘e çuditshme kjo ambicia shqiptare për ta kthyer vendin në një kosh plehrash’. Pra është absurde të bëhet diçka e tillë. Ka patur dy qëndrime të ndryshme të Ramës në opozitës dhe në qeverisje. Dhe nga ana tjetër ka një lob që merret me menaxhimin e mbetjeve që ka influencë të madhe në parlament, por edhe te Rama. Bllokimi që i bëri Nishani këtij ligji, dhe tërheqja e tanishme nga Parlamenti, tregon se sensibilizimi i opinionit publik, mund ta detyrojë këtë politikë të veprojë më shumë në interes të shqiptarëve?”, u shpreh Musfataj.

Sakaq, publicisti shprehet se për këtë çështje duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve, dhe ai propozon që të mbahet një referendum.

“Unë jam dakord me atë që Rama ka thënë më parë, që ne duhet të trajtojmë një herë plehrat që kemi në gjithë vendin, pasi mbetje ka kudo në lumenj, toka, bregdete, etj. Unë mendoj se duhet të bëhet një refundim për këtë çështje, pasi do të ishte me pasoja pozitive edhe në kulturën politike shqiptare. Do të ishte dhe pa shumë kosto. Nëse nuk do të bëhet referendum do të bëhet një debat i manipuluar politik, dhe nuk do të dihet qëndrimi i i vërtetë i popullit për këtë çështje”, tha Besnik Mustafaj.