Ministrja Dhurata Hoxha, që deri më tani udhëhoqi me Ministrinë e Drejtësisë, ka falënderuar deputetët, Kryetarin Veseli dhe lidershipin e PDK-së, për besimin e dhënë që ajo të udhëheq me sektorin e integrimeve evropiane, synimit thelbësor të institucioneve të Kosovës.

Ministrja Hoxha, ka përgëzuar stafin civil për bashkëpunimin e ofruar në mandatin njëvjeçar në Ministrinë e Drejtësisë, si dhe partnerët tjerë, shoqërinë civile, gazetarët dhe qytetarët që me kontributin e tyre, ofruan bashkëpunim dhe sugjerime për mbarëvajtjen në Ministrinë e Drejtësisë.

Ky është statusi i plotë i ministres Hoxha:

Qeveria e re, e koalicionit fitues të Zgjedhjeve të 11 Qershorit, është votuar në një proces demokratik dhe me standardet më të larta. Përgëzoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për votën dhe besimin e tyre.

Thellësisht falënderoj Kryetarin Veseli dhe Kryesinë e PDK-së, për besimin e dhënë që në mandatin e ardhshëm, të udhëheq sektorin më të ndjeshëm, atë të integrimeve evropiane, synimit thelbësor të institucioneve tona. Sinqerisht falënderoj stafin civil të Ministrisë së Drejtësisë dhe të gjithë bashkëpunëtorët që më ofruan bashkëpunim të gjithanshëm, duke shënuar të arritura të mëdha për fuqizimin e sundimit të ligjit. Falënderoj po ashtu, partnerët tjerë, shoqërinë civile, gazetarët dhe qytetarët që me kontributin e tyre, ofruan bashkëpunim dhe sugjerime për mbarëvajtjen në Ministrinë e Drejtësisë.

Sfida e Integrimeve evropiane, është sfidë e vendit tonë, mirëpres bashkëpunimin e të gjithë faktorëve relevantë që procesi euro-integrues të përshpejtohet dhe përmbyllet sa më shpejt dhe qytetarët e vendit tonë të bëhen pjesë e vlerave integrale, të pandashme të Bashkimit Evropian.