Katër foshnjat të cilat ndërruan jetë më 21 shtator në Klinikën për Gjinekologji dhe Akusheri në Shkup kanë qenë prej shtatzënive me rrezik të lartë të cilat kanë përfunduar me lindje të parakohshme dhe kanë pasur peshë të vogël, ka konstatuar komisioni profesional. Ministria e Shëndetësisë kumtoi se të gjithë këta faktorë të rrezikut e vështirësojnë mbijetesën e foshnjave të porsalindura dhe e rrisin shkallën e morbiditetit dhe mortalitetit.

“Në bazë të dokumenteve të shqyrtuara mjekësore dhe bisedave me punëtorët e shëndetit nga Komisioni u konstatua se u veprua në pajtim me protokollet e parapara mjekësore, trajtimin përkatës para lindjes, indikacionin e drejtë për përfundimin operativ të lindjes së filluar para kohe, me respektimin e procedurave anesteziologjike, stabilizimin e suksesshëm primar të foshnjave të sapolindura, si dhe zbatimin përkatës të trajtimit intensiv postnatal dhe terapisë”, thuhet në kumtesë.

Të enjten e kaluar në Klinikën për Gjinekologji dhe Akusheri vdiqën katër foshnja – dy djem dhe dy vajza. Njëri prej djemve ka lindur me peshë ekstrem të vogël, foshnja vajzë ka lindur nga një nënë e cila ka pasur hipertension dhe infeksion ndërsa foshnja tjetër e gjinisë mashkullore ka lindur nga një shtatzëni me rrezik të lartë. Foshnja tjetër vajzë ka lindur para kohe dhe ka qëndruar në repart 37 ditë në ventilim mekanik dhe gjatë gjithë kohës ka qenë në gjendje jashtëzakonisht të rëndë.

Në kumtesë shtohet se Ministria e Shëndetësisë për momentin është fokusuar në përgatitjen e strategjisë me definimin e masave konkrete dhe aktiviteteve për zhvillimin e mbrojtjes shëndetësore gjinekologjike në Klinikën për Gjinekologji dhe Akusheri në Shkup, si dhe në të gjitha maternitetet në vend