Koço Angjushev, zv/kryeministri për çështje ekonomike, nuk ndjen përgjegjësi morale për atë se kompania e tij “Feroinvest” mori tender nga shteti në vlerë prej 2,6 milionave euro. Angjushev e arsyetonte këtë duke thënë se ai është vetëm pronar e jo menaxher i kompanive, dhe prandaj nuk sheh asnjë problem në lidhje me faktin që kompania e tij mori tender nga kompania shtetërore, ELEM.

“Ligji është respektuar në tërësi dhe nuk ndjej përgjegjësi morale, unë isha i pari i cili e publikoi listën anketuese në mënyrë transparente, i pari i paraqita kompanitë e mia të cilat janë regjistruar në regjistrin qendror dhe paguajnë tatim në Maqedoni. Ato kompani duhet të vazhdojnë të punojnë dhe të zhvillohen edhe më tutje”, tha Koço Angjushev, ZV/Kryeministër për çështje Ekonomike.

Për këtë partneritet mes kompanisë shtetërore ELEM dhe firmës së Angjushevit, funksionarit të lartë në Qeverinë e RM-së, reaguan në mënyrë të ashpër nga partia opozitare VMRO-DPMNE. Prej atje kërkojnë që të anulohet kjo marrëveshje kriminele, po ashtu kërkojnë dorëheqje nga zv/kryeministriu Angjushev dhe përgjegjshmëri penale për kurdisjen e këtij tenderi.

“Ky tender kriminel tregon se Koço Angjushev vepron në të njëjtën mënyrë si mentori i tij Zoran Zaev në komunën e Strumicës, ku e ka zbrazur arkën komunale. Arsyetimi i Angjushevit është i pabazë kur thotë se ai nuk ka qenë menaxher por vetëm pronar i kompanisë “Feroinvest”. Kjo do të thotë se paratë përsëri përfundojnë në xhepin e tij”, tha Svetllana Kollariq, VMRO-DPMNE.

Angjushev nuk u përgjigj në pyetjen e gazetarëve se cili është plani i tij për ta bindur opinionin publik se gjithçka është bërë në pajtueshmëri me ligjin dhe në mënyrë transparente në qoftë se edhe në të ardhmen kompanitë e tij marrin tenderë nga shteti për të bërë biznes. Ai pyeti nëse duhet ti mbyllë firmat e tij ku punojnë qindra punëtorë. Kjo nuk është hera e parë që zv/kryeministri të kritikohet nga ana e qytetarëve. Ai ende nuk ka sqaruar skandalin e fundit, në lidhje me partneritetin me një nga pronarët e firmës offshor të regjistruar në Belize, i cili ka qenë mik i tij, identiteti i të cilit ende është i panjohur. Dihet vetëm se ai është njeri nga rajoni.