Ministri në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë për Marrëdhëniet me Diasporën, Edmond Ademi, më 11-të dhe 12-të shtator do të realizojë vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë.

Në këto dy ditë, siç kumtojnë nga kabineti i tij,  ministri Edmond Ademi, do të ketë takim me sekretarin shtetëror, i angazhuar për kroatët jashtë Republikës së Kroacisë, Zvonko Milas, me deputeten Ermina Lekaj Përlaskaj, me kryetarin e Këshillit të pakicës nacionale shqiptare të Qytetit të Zagrebit, Shuip Ziberi, konsullin e nderit të RM-së në Zarë dhe kryetarit të BFI në Republikën e Kroacisë, Gëzim Rexhepi.

Gjatë kësaj vizite, Ademi do të vizitojë edhe qytetin Bjelovar, ku do të takohet me kryetarin e komunës së Bjelovarit, Dario Herbak, dhe do t’u drejtohet anëtarëve të Odës së Zejtarëve të Qarkut të Bjellovarit-Billogorës.

Janë paraparë takime edhe me kryetarin e Këshillit nacional të pakicave në Qeverinë e Republikës së Kroacisë, Aleksandar Tolnaur, me kryetarin e Komunitetit maqedonas në Republikën ne Kroacisë Ilija Hristodulov, kryetarin e Këshillit të pakicës nacionale maqedonase në qytetin e Zagrebit, Tome Apostolovski, si dhe me përfaqësuesin e KOM në Republikën e Kroacisë, imzot Kirko Velinski, ku bashkërisht do ta vizitojnë kishën maqedonase në Zagreb.

Në organizim të Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Zagreb do të ketë pritje në pallatin “Dverce” në Zagreb, me rastin e 8 shtatorit Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, ku ministri Edmond Ademi do të mbajë fjalim.