Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci ka thënë se deri tani nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga PAN dhe AKR për marrëveshjen e tyre, andaj edhe s’mund ta thërrasë seancë derisa ata ta bëjnë në gjë të tillë.
Mikullovci në një prononcim për Gazetën Express tha se nuk mund të bazohet në raportimet e mediave sa i përket kësaj marrëveshje të PAN’it me AKR’në.
“Seancën e thërras kur zyrtarisht PAN e konfirmon se i ka numrat, ndryshe nuk mundem të veproj sepse kjo punë shkon vetëm duke mbetur zhag”, tha Mikullovci.
Mikullovci tha se vazhdimi i seancës konstituive do të bëhet atëherë kur deputetët e PAN’it thonë se i kanë numrat për kryeparlamentar dhe qeveri të re.
Dje gjatë ditës, Aleanca Kosova e Re u largua nga koalicioni LDK-Alternativa dhe iu bashkua PAN’it, ku nënshkruan marrëveshjen për të hyrë në Qeveri.
Marrëveshja nënkupton se AKR do të udhëheqë me Ministrinë e Punëve të Jashtme, atë të Punëve të Brendshme, Ministrinë e Planifikimit Hapësinor dhe MInistrinë e Zhvillimit Ekonomik. PDK do të ketë një zëvendëskryeministër dhe gjashtë ministri; të Financave, Ministrinë e Drejtësisë, të Integrimit Europian, të Diaporës, Kulturës dhe Ministrinë për Dialog.
AAK do të udhëheq me Ministrinë e Shëndetësisë, Infrastrukturës dhe Ministrinë e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (FSK) si dhe postin e kryeministrit.
Nismës do t’i takojnë Ministria e Arsimit, ajo e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe një zëvendëskryeministër./GazetaExpress/