Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta priti sot në një takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti.
Meta, siç njofton ATSH, vlerësoi kontributin e BDI-së në interes të stabilitetit të Maqedonisë dhe përparimin e axhendës së saj evropiane.
Ai theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit për respektimin e të drejtave të shqiptareve në Maqedoni dhe përmirësimin e klimës së besimit të ndërsjellë mes shqiptarëve dhe maqedonasve në interes të integrimit euro-atlantik të vendit.
Presidenti shqiptar, Meta shprehu më tej angazhimin e tij për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë në interes të dy vendeve dhe perspektivës evropiane të rajonit.