Gjermanët votojnë sot për të zgjedhur Parlamentin e ri, ndërsa kancelaria Angela Merkel kërkon mandatin e saj të katërt në krye të ekzekutivit gjerman. 61.5 milionë votues në 299 zona elektorale në të gjithë Gjermaninë, do të votojnë për të zgjedhur 598 anëtarët e parlamentit të ri.

Sikurse kanë njoftuar mediet gjermane dhe ato ndërkombëtare, qendrat e votimit janë hapur në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 18:00. Votuesit me votën e parë do të përcaktojnë deputetët në zonat e tyre dhe votën e dytë do ta japin për partitë.

Në orët e fundit të fushatës, Merkel u tregua mjaft modeste dhe përmendi shumë pak arritjet e së shkuarës, duke theksuar se njerëzit do të votojnë për të ardhmen. Sondazhet tregojnë se Merkel do të arrijë që ta marrë mandatin që kërkon, pavarësisht këmbënguljes së rivalit të saj kryesor socialdemokrat, Martin Schulz, i cili synon të marrë votat e të pavendosurve që, sipas anketave, janë një në dy gjermanë.

Ndërsa sondazhet japin partinë e Merkelit fituese në zgjedhje, ato gjithashtu sugjerojnë se ekziston mundësia që edhe një parti e ekstremit të djathtë të futet në Parlament për herë të parë pas 60 vjetësh. Sondazhet thonë se Partia Alternativa për Gjermaninë mund të fitojë deri në 60 vende në Parlament, pasi shfrytëzoi mjaft gjerë retorikën antiemigracion në fushatë.

Sipas sondazheve të Bild, në një zgjedhje të drejtpërdrejtë, Angela Merkel do të kishte vetëm 45% të konsensusit dhe Martin Schulz 32%.

Gjatë javëve të fundit hendeku është ngushtuar nga 29 në 13 pikë: katër javë më parë, në fakt, të dy kandidatët u ndanë respektivisht me 51 dhe 22% të pëlqimeve.

Në tubimin e tij të fundit në Berlin, social-demokrati Martin Schulz foli me tone të ashpra ndaj partisë Alternativa për Gjermaninë, të cilën e shpalli parti si armike, ndërkohë që deklaroi se njerëzit do të mbrojnë demokracinë në vend.

Ndërkohë zonja Merkel zgjodhi Mynihun për të përmbyllur fushatën e saj, me mesazhin se nuk do të ketë përsëritje të krizës së emigrantëve që vendi përjetoi në 2015.